Haradinaj propozon Thaçin për postin e presidentit
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të ishte “nder” për deputetët e legjislaturës së 11-të që ish-presidenti Hashim Thaçi të zgjidhej sërish në këtë post.
Që pothuajse gjashtë vjet, Thaçi gjendet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai dhe ish-eprorët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po presin vendimin për këtë rast, që do të shpallet nga Trupi Gjykues më 16 shtator.
Në një deklarim për media nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj, që në të kaluarën ka mbajtur postin e kryeministrit dhe ka qenë drejtues i Aleancës, tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që ta zvarrisë procesin e formimit të institucioneve, pasi sipas tij, emra për çështjen e presidentit ka, duke propozuar emrin e Thaçit.
“Nëse do zgjidhje Kurti, regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderin tonë si shqiptar, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politke, por për shkak të një kundërpërgjigje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera mos me mbajtur peng Kosovën”, tha Haradinaj.
Thaçi u zgjodh president i Kosovës më 26 shkurt 2016 dhe dha dorëheqje nga posti më 5 nëntor 2020 dhe u nis drejt Hagës, pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan aktakuzën ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm.
Edhe nga ish-partia e Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës, kanë shprehur mbështetje për një mandat të ri për ish-presidentin.
“Presim që më 16 shtator, ai dhe çlirimtarët të vijnë të lirë dhe do t’i presim të gjithë. Andaj është mundësi e mirë, edhe pse jo, të gjitha forcat politike të japin mbështetje për presidentin Thaçi që të vazhdojë punën aty ku e ka lënë”, tha deputeti i PDK-së, Arian Tahiri më 21 gusht gjatë një konferencë për media.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ofroi mbështetje propozimit të bërë nga Haradinaj, dhe tha se një propozim i tillë ka “peshë kombëtare dhe institucionale si dhe i shërben frymës unifikuese në vend”.
“Institucionet relevante dhe forcat politike të Kosovës duhet ta shqyrtojnë seriozisht këtë propozim, përtej ndasive partiake”, u tha në reagimin e OVL të UÇK-së.
Megjithatë, më herët gjatë këtij viti, në një intervistë të dhënë me shkrim nga paraburgimi në Hagë, Thaçi, që ka mbajtur edhe postin e kryeministrit në të kaluarën, kishte deklaruar se, nëse lirohet, nuk synon t’i rikthehet garës politike.
Thaçi po ashtu është duke u përballur edhe me një rast tjetër gjyqësor të ngritur pranë Dhomave të Specializuara nën akuza për pengim të drejtësisë.
Nga gjykata në Hagë, thanë se do të jetë në dorën e gjyqtarit të rastit për pengim të drejtësisë që të vendosë nëse ish-presidenti i Kosovës do të lirohej nga paraburgimi, në rast se shpallet i pafajshëm në rastin e parë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Megjithatë, LVV dhe LDK ende nuk kanë përmendur ndonjë emër konkretë për kreun e shtetit.
LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm./REL
Fraksion.com

