Procesi ndaj koncernit Meta: Prokuror ja ngre akuza të rënda
Procesi kundër Meta-s nisi javën e kaluar me përzgjedhjen e jurisë. Tani, në Gjykatën Federale në Oakland, Kaliforni, (19.08.2026) ka filluar seanca kryesore me deklaratat e para dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Paditësit ngritën akuza të rënda kundër kompanisë amë të Facebook-ut.
29 shtete amerikane e akuzojnë Meta-n se i ka projektuar qëllimisht platformat Instagram dhe Facebook në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të qëndrojnë sa më gjatë në to, duke fshehur njëkohësisht rreziqet e njohura nga prindërit dhe publiku.
Kalifornia, Kolorado, Kentaki dhe Nju Xhersi po e udhëheqin procedurën si proces pilot. Në rast humbjeje, Meta rrezikon gjoba të larta dhe detyrime për të ndryshuar funksione qendrore të aplikacioneve të saj.
Ankth, depresion dhe vetëvrasje
Zëvendësprokurorja e përgjithshme e Kalifornisë, Megan O’Neill, akuzoi Meta-n se ka “shfrytëzuar” me vetëdije mënyrën e funksionimit të trurit të të rinjve:
“Modeli i biznesit të Meta-s mund të përmblidhet në katër pika të thjeshta: të tërheqë përdoruesit, t’i mbajë sa më gjatë të jetë e mundur, të përfitojë nga të dhënat e tyre dhe më pas të fshehë të vërtetën nga publiku.”
O’Neill njoftoi se gjatë procesit do të paraqiten dokumente të brendshme të kompanisë. Sipas saj, në një dokument thuhet se Meta “shfrytëzon dobësitë e psikologjisë njerëzore”. Paditësit e shohin këtë si provë që kompania ka zhvilluar mekanizma për t’i mbajtur sa më gjatë përdoruesit e rinj në platformat e saj.
Në qendër të akuzave janë funksione si lëvizja e pafundme e përmbajtjes (endless scrolling), shfaqja automatikisht e videove (autoplay), njoftimet e shpeshta dhe numëruesit e pëlqimeve (likes). Sipas paditësve, këta mekanizma kanë kontribuar në shfaqjen e ankthit, depresionit dhe madje vetëvrasjeve. Gjykata mund ta detyrojë Meta-n jo vetëm të paguajë gjoba, por edhe të ndryshojë funksione të caktuara ose të vendosë kufizime kohore për përdoruesit e rinj.
Serioziteti i akuzave reflektohet edhe në padinë prej 233 faqesh, ku thuhet se platformat kanë “ndryshuar thellësisht realitetin psikologjik dhe social të një brezi të tërë të rinjsh amerikanë”.
Meta mohon krijimin e qëllimshëm të varësisë
Meta mohon se ka synuar t’i bëjë fëmijët të varur nga platformat e saj. Avokati i kompanisë, Paul Schmidt, pranoi se disa përdorues mund të kenë pësuar dëme, por theksoi se kompania ka “punuar gjithmonë për të zhvilluar mjete që t’i ndihmojnë ata”.
Meta thekson masat mbrojtëse që ka zbatuar dhe mohon ekzistencën e provave shkencore të qarta që lidhin drejtpërdrejt përdorimin e rrjeteve sociale me problemet psikike te të rinjtë.
Edhe lidhur me përdoruesit nën moshën 13 vjeç, Meta kundërshton akuzat. Schmidt deklaroi se vetëm gjatë tre muajve të fundit janë fshirë 600.000 llogari të kësaj grupmoshe. Ai shtoi se gjatë ndërhyrjeve kompania duhet të marrë parasysh edhe lirinë e shprehjes.
Sinjalizuesi i brendshëm tregon për problemet
Dëshmitari i parë ishte ish-punonjësi i Facebook-ut, Arturo Béjar, i cili sot është një sinjalizues (whistleblower) kritik ndaj kompanisë.
Ai tha se u ndërgjegjësua për problemet pasi vajza e tij 14-vjeçare përjetoi situata shqetësuese në Instagram. Ajo kishte marrë oferta seksuale dhe fotografi të organeve gjenitale.
Béjar ishte larguar nga Facebook në vitin 2015, por u kthye në vitin 2019 si këshilltar. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte paralajmëruar drejtuesit e Meta-s se përdoruesve të rinj po u shfaqeshin 100 deri në 400 herë më shumë përmbajtje të dëmshme sesa tregonin statistikat e kompanisë. Gjithashtu, çështjet e sigurisë nuk ishin marrë mjaftueshëm parasysh gjatë zhvillimit të funksioneve të reja si Reels.
“Facebook Files” si pikënisje
Procesi bazohet te dokumentet e njohura si “Facebook Files”. Ish-punonjësja e Facebook-ut, Frances Haugen, publikoi në fund të vitit 2021 mijëra faqe dokumentesh të brendshme, të cilat forcuan dyshimet se Meta i njihte nga brenda rreziqet për të miturit, por i minimizonte ato publikisht.
Pas kësaj, shumë shtete amerikane nisën hetime. Dy vjet më vonë, 29 shtete ngritën padi kundër kompanisë. Nëse Meta humbet procesin, pritet të arrijë një marrëveshje me të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Edhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, dhe kreu i Instagram-it, Adam Mosseri, pritet të dëshmojnë gjatë procesit. Një vendim pritet në fillim të tetorit.
Para gjykatës në Oakland protestuan aktivistë dhe prindër. Lori Schott, një prej nënave pjesëmarrëse, deklaroi: “Asnjë kompani, pavarësisht sa e pasur, me ndikim apo e paprekshme mund të ndihet, nuk duhet të qëndrojë mbi të vërtetën, ligjin dhe fëmijët tanë.”
Mosmarrëveshje për gjobën miliardëshe
Sipas deklaratave të fundit të paditësve, gjoba mund të arrijë rreth 200 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, Meta kishte deklaruar në një dokument gjyqësor disa muaj më parë se kërkesat teorike mund të arrinin deri në 1.4 trilionë dollarë, duke rrezikuar ekzistencën e kompanisë.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, e kundërshtoi këtë pretendim: “Ne nuk kërkojmë 1.4 trilionë dollarë.”
Ai paralajmëroi gjithashtu një qasje më të gjerë kundër funksioneve potencialisht varësuese si autoplay, pra shfaqja automatike e videove. Sipas tij, edhe aplikacioni kinez TikTok do të përballet me procese gjyqësore.
Meta gjendet tashmë nën presion edhe në procese të tjera. Në fillim të muajit gusht, kompania u dënua në Nju Meksiko me pagesën e 567 milionë dollarëve. Gjykatësi e arsyetoi vendimin me “krizën e shëndetit mendor” te të rinjtë. Meta ka njoftuar se do të apelojë vendimin.
Gjithashtu, në mars, Meta dhe platforma YouTube në pronësi të Google humbën një tjetër proces në Los Anxhelos lidhur me potencialin e krijimit të varësisë të platformave online./DW
Fraksion.com

