AktualitetTë fundit

Mbetet në burg, dëshmia e grabitësit në Paskuqan: Më pëlqejnë maskat e Halloween, e kam flakur pas festës

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Argys Kalzin, personin e dyshuar për përfshirjen në vjedhjen e një argjendarie në Paskuqan.

Vendimi është marrë pasi gjatë hetimeve është gjetur një maskë në një zonë të pyllëzuar, në të cilën është përftuar material biologjik që, sipas hetuesve, përputhet me ADN-në e të dyshuarit.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, bëjnë me dije se gjatë seancës gjyqësore, Kalzi ka mohuar çdo lidhje me vjedhjen, ndërsa ka dhënë një shpjegim për praninë e ADN-së së tij në maskën e sekuestruar.

“I kam qejf maskat e Halloween-it. Kam pasur disa, i kam blerë jashtë vendit. I kam përdorur për festë dhe më pas i kam flakur. Nuk e di çfarë ka ndodhur me to”, mësohet të ketë deklaruar ai në gjykatë.

Hetimet – Sipas burimeve, një prej provave kryesore të administruara gjatë hetimit është një maskë e gjetur në një zonë të pyllëzuar, ku ekspertiza ka evidentuar material biologjik që përputhet me ADN-në e Argys Kalzit.

Megjithatë, i dyshuari ka këmbëngulur se kjo provë nuk e lidh atë me vjedhjen, duke argumentuar se maska mund të ketë përfunduar në duart e personave të tjerë pasi ai e kishte hedhur.

Në vendin ku janë gjetur sendet e dyshuara si të lidhura me ngjarjen, hetuesit kanë evidentuar edhe gjurmë të tjera, përfshirë gjurmë që nuk përputhen me të dyshuarin.

Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të vjedhjes së argjendarisë në Paskuqan vijojnë.

Autoritetet po verifikojnë të gjitha provat e mbledhura dhe rrethanat se si maska me materialin biologjik të përputhshëm me ADN-në e të dyshuarit ka përfunduar në zonën e pyllëzuar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com