AktualitetTë fundit

Policia: Ermal Beqiraj, i arrestuar në Francë pritet të ekstradohet në Shqipëri

Shtetasi shqiptar Ermal Beqiraj,  i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e dosjes  hetimore në lidhje me AKSHI-n është arrestuar në qytetin e Amiens, në Francë, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.

Policia e Shtetit bëri të ditur se autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin e shtetasi Ermal Beqiraj., 44 vjeç, i kërkuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas njoftimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia bën me dije se Beqiraj u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.

Aktualisht, 44-vjeçari ndodhet në paraburgim. Sipas Policisë së Shtetit, ai pritet të dalë nesër para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com