“Lum ata që i gjetën familjarët”: 27 vjet pritje për vëllain e zhdukur
Lutfije Ademi – Vokshi kaloi gati tri dekada mes shpresës dhe dyshimit.
Që prej 19 prillit 1999, kur vëllai i saj, kirurgu Adem Ademi, u rrëmbye nga forcat serbe, ajo nuk arriti kurrë ta largonte plotësisht mendimin se ai mund të gjendej diku në afërsi të fshatit Drenë, në komunën e Zubin Potokut, pjesa veriore e Kosovës.
Atë ditë, përveç Ademit, u zhdukën edhe 22 civilë të tjerë nga rajoni i Mitrovicës, të cilët, më vonë, do të njiheshin si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”.
Mes tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.
Me kalimin e viteve, shpresa e familjes së Vokshit u zbeh. Jo vetëm nga koha, por edhe nga ajo që u mësua për mënyrën se si forcat serbe i zhvendosën trupat e shqiptarëve të vrarë nga një lokacion në tjetrin, për të fshehur gjurmët e krimeve.
Kjo e bënte gjithnjë e më të vështirë të besohej se Adem Ademi mund të gjendej pikërisht aty ku dyshohej se ishte zhdukur.
Por, këtë javë, zhvillimet morën një kthesë të re.
Rreth tri kilometra e gjysmë larg Drenës, në vijë ajrore, në fshatin Kalludër e Vogël, autoritetet e Kosovës gjetën mbetje mortore.
Të martën e 28 korrikut nisën gërmimet në atë lokacion, ku tashmë ekzistojnë dyshime të bazuara se mund të ketë një varr masiv.
Sipas autoriteteve, gërmimet janë rezultat i një hetimi dyvjeçar.
Për Lutfije Vokshin, lajmi solli ndjenja që mezi mund t’i përshkruajë.
“Reagimi i parë ka qenë… Nuk kam mundur të flas fare. Vetëm më rridhnin lotët… më kuptoni? Doja t’i ndalja, por vetë më iknin lotët… E dini, disi, sikur lyp diçka tërë jetën dhe pastaj thua ‘inshallah nuk e gjej’. Jo në kuptimin të mos e gjej, por po gjen diçka që nuk ke dëshirë ta gjesh në atë mënyrë”, rrëfen Vokshi, me zërin që i dridhet nga vaji.
“Gjithmonë kam thënë ‘mos është diku, ku mund të jetë i gjallë’, sepse ashtu më pëlqente dhe ashtu fokusohesha, edhe pse kanë kaluar dy dekada e gjysmë, 27 vjet… dhe shpresat kanë qenë shumë të vogla për t’i gjetur gjallë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sot, Vokshi drejton organizatën joqeveritare “Ndriçimi i Jetës”, përmes së cilës angazhohet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Por, përtej aktivizmit, mbetet motra që ende pret përgjigje për fatin e vëllait.
Ajo beson se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Vogël mund t’u përkasin 23 civilëve të zhdukur më 19 prill 1999 – mes tyre edhe Ademit.
Vetë lajmi, thotë ajo, ka rikthyer dhimbjen e familjeve që kanë pritur për dekada.
Pritja është vuajtja më e madhe, sipas saj.
Edhe pse e di se vetëm analizat dhe procedurat zyrtare mund të konfirmojnë identitetin e viktimave, ajo e ka krijuar bindjen se, në fund, do ta gjejë vëllain.
“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, thotë Vokshi.
Ndërsa gërmimet vazhdojnë, institucionet e Kosovës dyshojnë se lokacioni në Kalludër të Vogël mund të lidhet pikërisht me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të mërkurën se ky ishte dyshimi i parë i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.
“Ne nuk mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje. Por, duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër, që është një komunë në veri të Ibrit, që ka qenë zonë e pashqyrtuar më herët. Pra, bëhet fjalë për një territor të paprekur nga gërmimet”, tha Kurti.
Ai i bëri komentet gjatë prezantimit të një raporti të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili përmban të dhëna preliminare për viktimat e luftës së viteve 1998-1999.
Sipas drejtorit të institutit, Atdhe Hetemi, raporti përfshin 13.227 persona – të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës – ndërsa 12.230 prej tyre, ose 92.5 për qind, rezultojnë të jenë vrarë.
Në të njëjtën ditë kur nisën gërmimet në Kalludër të Vogël, organet e drejtësisë arrestuan edhe dy persona të dyshuar për përfshirje në zhdukjen e grupit prej 23 civilëve nga rajoni i Mitrovicës.
Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se të arrestuarit, me inicialet M.J. dhe M.B., dyshohen për krime lufte që lidhen pikërisht me këtë rast.
Rreth 1.600 persona të zhdukur gjatë luftës, shumica e tyre shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Vokshi nuk e përjashton mundësinë që trupi i vëllait të mos jetë në lokacionin ku po gërmohet.
“…nëse nuk është, vetëm kam për të thënë ‘lum ata familjarë që i kanë gjetur familjarët e tyre’ dhe iu mbyllen plagët, sepse ka kaluar kohë e gjatë…”./REL
Fraksion.com


