Raporti i DASH, Tabaku: Shqipëria mbetet në të njëjtin stanjacion të sistemit që kanë ngritur socialistët
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas publikimit të raportit të OSAC nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke ngritur shqetësimin se pasiguria institucionale, korrupsioni dhe mungesa e konkurrencës po pengojnë investimet e huaja në Shqipëri.
Tabaku evidenton se, sipas raportit, krimi i regjistruar është rritur me rreth 17%, ndërsa problematikat e sigurisë reflektohen edhe në mjedisin ekonomik dhe në pastrimin e parave në sektorë të ndryshëm.
Megjithatë, deputetja demokrate vlerëson se shqetësimi më i madh për investitorët potencialë nuk është vetëm siguria fizike, por pasiguria institucionale.
“Raporti evidenton korrupsionin në gjyqësor, në administratën shtetërore dhe në prokurimet publike, krahas mungesës së transparencës dhe konkurrencës, informalitetit të lartë dhe vështirësive në zbatimin e kontratave”, shkruan Tabaku.
Tabaku paralajmëron se këto rreziqe janë veçanërisht të mëdha në sektorë me interes për investitorët amerikanë, si infrastruktura rrugore dhe energjetika, ku ndërthuren prokurimet publike, lejet shtetërore, kontratat afatgjata dhe vendimmarrja politike.
“Investimet vijnë atje ku konkurrenca është e barabartë, prokurimet janë transparente, drejtësia garanton zbatimin e kontratave dhe askush nuk qëndron mbi ligjin”, thekson ajo.
Deputetja e PD-së nënvizon se investitorët duhet të mund të hyjnë në Shqipëri pa pasur nevojë për lidhje politike, por vetëm mbi bazën e një mjedisi të qëndrueshëm, konkurrues dhe të përshtatshëm për biznesin.
Duke ia faturuar qeverisjes socialiste stanjacionin ekonomik dhe institucional të vendit, Tabaku kërkon ndryshimin e modelit aktual të zhvillimit.
“Shqipëria ka nevojë për një shtet ku sundon ligji, jo ligjet me porosi; për një qeverisje që punon për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar”, shprehet ajo.
Sipas Tabakut, vendit i nevojitet një model ekonomik që nuk ushqen pastrimin e parave dhe monopolet, por garanton ekonominë e tregut, konkurrencën e lirë dhe kushte të barabarta për investitorët vendas dhe të huaj.
Fraksion.com

