Nis procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në GJKKO, dëshmon Xhuliano Xhaferraj: Tafani pinte drogë edhe në burg, vëllanë nuk besoj të ma ketë vrarë Laerti
Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Laert Haxhiu ka paraqitur një deklaratë me shkrim, përmes së cilës njofton gjykatën se nuk dëshiron të marrë pjesë në procesin gjyqësor.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pranon të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj. Gjykata bëri me dije se procesi ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Procesi vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.
Burgjet sjellin si dëshmitar Xhuliano Xhaferrajn, i cili dëshmon për vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, i gjetur i vdekur më 13 qershor 2021 në një rezervuar në Korçë, sipas versionit zyrtar të prokurorisë.
Gjykata: Në këtë proces keni edhe cilësinë e viktimës. Sot jeni thirrur si dëshmitar ndaj Laert Haxhiut.
Gjykata: A keni qenë më parë i dënuar?
Dëshmitari: Po, për vjedhje.
Gjykata: Po tani?
Dëshmitari: Po, jam në Burgun e Fierit për vjedhje.
Prokurori i SPAK: Zoti Xhuliano, faleminderit që keni ardhur. Ju jeni këtu për të dëshmuar për vrasjen e vëllait tuaj, Fridman Xhaferraj.
Xhuliano Xhaferraj: Isha në burg, më çuan në komisariat dhe më pyetën: “A ke folur, a di gjë?” E verifikuan. Pas disa orësh e gjetën që ishte im vëlla.
Prokurori i SPAK: Të nxorën nga burgu?
Dëshmitari: Atë ditë u lirova me urdhër lirimi, sepse e mbarova dënimin. Nuk kisha marrë vesh gjë. Kur vajta në shtëpi, pashë policët që po bënin kontroll.
Prokurori: Kur u lirove, ku shkove?
Dëshmitari: Te shtëpia e vjehrrit.
Prokurori: A e kishin marrë vesh prindërit?
Dëshmitari: Nuk i kam prindërit.
Prokurori: Po vëllai Fridman ku jetonte?
Dëshmitari: Ai kishte ikur. Më kishte thënë se ishte jashtë. Kisha rreth 20 ditë që më kishte thënë në burg se do të ikte jashtë shtetit, në Itali. Unë isha ndarë dhe isha me fëmijët e me nusen, ndaj ai nuk më tregonte shumë. Ne ishim tre fëmijë: unë, Fridmani dhe Aleksandri. Atij i kishin prerë djemtë biletën dhe në Elbasan ishin ndarë. Ishte bashkë me Lul Spahinë dhe Kristi Bixherin. Këta emra m’i ka thënë vëllai tjetër. Kur Fridmani ishte gjallë, ishte me këta. Vëllai i vogël e la Fridmanin me Lulin dhe Kristin në Elbasan dhe ishte larguar. Fridmani do të ikte në Greqi.
Dëshmitari: Kaq di. Nuk di gjë tjetër, sepse kam qenë në burg.
Prokurori: Kur t’i tha këto vëllai, t’i tha në burg apo te shtëpia e vjehrrit?
Dëshmitari: M’i tha te shtëpia e vjehrrit.
Prokurori: Kush mendon se e vrau vëllain tënd?
Dëshmitari: Nuk e di. Qamili, babai i Laertit, më ka thënë nga afër se ata nuk kishin fare dorë, sepse i kemi tokat afër. Më foli në rrugë dhe më tha: “S’ka dorë djali im.” Unë iu përgjigja: “Nuk di gjë.”
Dëshmitari: Unë e pyeta se çfarë kishte ndodhur, sepse mora vesh që ishte përfolur se kishte qenë me Laertin. Kështu flitej në Lushnjë. Unë nuk di gjë fare.
Dëshmitari: Fjalët në Lushnjë ishin hapur se urdhrin për ta vrarë e kishte dhënë Laerti. Unë kam parë punët e mia.
Dëshmitari: Unë nuk ia njihja shoqërinë, sepse jam familjar. Di që vëllai konsumonte lëndë narkotike, me sa di unë kokainë dhe hashash. Me sa dija, edhe ka shitur. Me sa di unë, e kanë shoqëruar njëherë për kundërshtim të policisë. Ka bërë nja tre herë burg dhe ka qenë edhe në Peqin. Nuk e mbaj mend mirë, por di që qëndroi 11 ditë. Më kujtohet se iu gjet edhe fleta e Burgut të Peqinit dhe nga ajo fletë u identifikua.
Prokurori: Sot, a di të thuash pse e kanë vrarë?
Dëshmitari: Me të dëgjuar e kam që është muhabet për drogë dhe armë, por nuk jam i sigurt.
Prokurori: A ke dëgjuar për Artan Tafanin?
Dëshmitari: Po, e njoh. Kemi qenë në burg në Rrogozhinë. Veç kësaj, kur dilnim xhiro, luanin edhe fëmijët me njëri-tjetrin.
Prokurori: Ti vetë ke përdorur drogë?
Dëshmitari: Jo, jo. Ndonjë cigare, shumë rrallë.
Prokurori: Në dijeninë tënde, a e ka njohur vëllai yt Artan Tafanin?
Dëshmitari: Po, e ka njohur, sepse e ka pasur edhe ai në burg në Rrogozhinë.
Detar Hysi, avokat i Laert Haxhiut: A e njihni shtetasin Laert Haxhia?
Dëshmitari: Po.
Detar Hysi: Çfarë marrëdhëniesh keni?
Dëshmitari: Babai im me babanë e tij kanë marrëdhënie miqësore.
Avokati: A ju ka vizituar ndonjë nga familjarët e Laert Haxhisë?
Dëshmitari: Jo.
Avokati: Pse mendoni që e ka bërë Laert Haxhia?
Dëshmitari: Jo, nuk jam fare i bindur që ta ketë bërë Laerti. Nuk e besoj fare.
Avokati: Deklaruat që Tafani konsumonte drogë?
Dëshmitari: Po, konsumonte të gjitha, edhe “të kuqe”. E kam parë vetë në burg, edhe në Burgun e Rrogozhinës.
Avokati: Domethënë, Tafani është një përdorues i rregullt i drogës?
Dëshmitari: Po./TCH
Fraksion.com

