AktualitetPolitikëTë fundit

“Shehaj rrëmbeu dokumentin dhe iku me vrap”, Balla: Duhet të arrestohet për shkelje të ligjit

Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla foli për marrëveshjen e huasë prej 302 mln dollarë nga SHBA për Shqipërinë, që do të shkojnë në fushën e mbrojtjes, duke e cilësuar si një marrëveshje historike.

Balla tha se Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 vjet dhe se çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Ajo shkon përtej termave financiarë dhe është një dëshmi konkrete e besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, si edhe e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan në sigurinë euro-atlantike”, u shpreh Balla.

Sipas Ballës, vendimi për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë është një vlerësim i rëndësishëm për rolin që Shqipëria luan në Aleancë, ndërsa vendi po përgatitet për fazën e re të zhvillimit të NATO-s, të njohur si “NATO 3.0”, përmes rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe investimeve strategjike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së sqaroi se fondet do të disbursohen vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pas miratimit nga autoritetet amerikane. Shqipëria do të ketë 48 muaj për të angazhuar fondet, ndërsa kredia parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet, me mundësi periudhe grace deri në një vit dhe të drejtën për parapagim pa penalitete.

Ndërkohë sa i takon veprimit të bërë nga kreu i partisë Mundësia Agron Shehaj, i cili rrëmbeu kopjen e kësaj marrëveshje, një dokument i klasifikuar për të cilin të gjithë deputetët duhet të firmosin për konfidencialitetin, dhe më pas u largua me vrap nga salla, Balla tha se duhet të arrestohet për shkelje të ligjit.

“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, deklaron kreu i grupit parlamentar i PS.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com