AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja, sfida kryesore e shoqërive sot

Kryeministri Edi Rama foli sot për rrezikun që vjen nga manipulimi i informacionit përmes inteligjencës artificiale dhe ndërhyrjet e huaja, ndërsa e cilësoi këtë si sfidën kryesore me të cilën përballen vendet sot.

Në fjalën e mbajtur në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit” që po zhvillon punimet sot në Tiranë, Rama u shpreh se në kohët e sotme gjeografia e sigurisë kombëtare ka ndryshuar në mënyrë thelbësore.

“Në pamje të parë këtë konferencë ka të bëjë me algoritmet, me platformat digjitale dhe ekosistemet e informacionit. Në fakt në realitet besoj se ka të bëjë me demokracinë. Fuqia gjithmonë e më tepër matet edhe me diçka tjetër, me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin, për t’i shndërruar ndasitë sociale në armë dhe për të gërryer besimin tek institucionet demokratike”, u shpreh Rama.

Ndërsa solli në vëmendje shembullin e rënies së Trojës, Rama bëri paralelizma me rrezikun në kohët e sotme ndërsa theksoi se edhe në rastin e Trojës “kërcënimi hyri i maskuar si diçka e pafajshme”.

“Ndaj ky është edhe emri i një virusi që mbetet mësimi suprem i historisë se rreziku më i madh rrallë është ai që mësyn në derë, por është gjithmonë e më tepër ai që e fton brenda, sepse duket i padëmshëm. Është ai që lëvdojmë në emër të lirisë së shprehjes. Është ai që mbrohet në emër të lirisë së fjalës. Është ai për të cilin hezitojmë gjithmonë që të përballemi si duhet, sepse për ne është çështje demokracie dhe çështje lirie”, shtoi Rama.

Sipas tij, “manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion kurrë nuk mbërrin nga një uniformë e veshur”.

“Mbërrin si përmbajtje e përditshme, si indinjatë, si një trend viral, si një video e falsifikuar, si një link që çohet në një grup WhatsApp-i nga një person, i cili në fakt mirëfilli mendon se po ndan një të vërtetë. Flet gjuhën tonë, shfrytëzon ankthet tona dhe shënjestron debatet tona të hapura dhe kjo është pikërisht arsyeja pse është kaq efektiv e pse dukemi kaq të dënuar të dështojmë përballë tij”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se sot manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritmi i nxitur dhe i fuqizuar nga inteligjenca artificiale dhe shpërndahet në shkallë masive. “Thelbi është që nuk ju duhet më ushtri për të destabilizuar një vend”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com