Më shumë mbikëqyrje të personave të rrezikshëm për sigurinë
Pas aktit terrorist gjatë paradës CSD-së në Berlin politikanët kërkojnë masa konkrete. Por ekspertët thonë se është e pamundur të mbikëqyren të gjithë personat që konsiderohen të rrezikshëm për sigurinë.
Berlini është ende në shok pas sulmit të shtunën (25.07.) ndaj pjesëmarrësve të Paradës së Krenarisë “Christopher Street Day” (CSD) . Një grua humbi jetën. 29 vetë u plagosën, disa prej tyre në gjendje kritike. Autoritetet po e konsiderojnë ngjarjen si një akt terrorist të kryer nga një islamist. Pasi automjeti u përplas me një pemë, autori dyshohet se sulmoi pjesëmarrësit e paradës edhe me hanxhar. Më pas ai arriti fillimisht të arratisej, duke lënë pas makinën e dëmtuar.
Merz: “Tregoni fytyrën e një shoqërie të hapur!”
Të dielën në fytyrat e njerëzve në Berlin mund të shihej ende dhimbja dhe tronditja. Një heshtje e frikshme kishte mbuluar qytetin. Pasditen e asaj dite, shumë vetë u mblodhën në një meshë përkujtimore në Kishën e Shën Marisë, jo larg Portës së Brandenburgut. Në ceremoni mori pjesë edhe kancelari federal Friedrich Merz. Ai deklaroi: “Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur lirinë e vendit tonë dhe të shoqërisë sonë, gjithçka!”
Ai iu drejtua pjesëmarrësve të pikëlluarve me fjalët: “Qëndroni të bashkuar, festoni, tregoni fytyrën e gëzueshme të shoqërisë sonë të hapur dhe të lirë.”
Autori i dyshuar i sulmit vdiq
I dyshuari për sulmin, Abdul B., gjeti vdekjen pasi u qëllua nga policia. Sipas njoftimeve një njësi speciale e policisë hapi zjarr, pasi i dyshuari i kishte sulmuar policët me thikë.
Shtetasi gjerman 21-vjeçar, djali i një gruaje me origjinë nga Libani, ishte me sa duket i njohur për policinë. Ai dyshohet se simpatizonte me organizatën terroriste islamiste “Shteti Islamik” (IS) në Siri dhe se, verën e vitit të kaluar, ishte përpjekur të shkonte në Siri, duke kaluar përmes Turqisë, për t’iu bashkuar atje luftëtarëve të IS-it.
Ai u arrestua në Liban, u ekstradua në nëntor 2025 për në Gjermani dhe përfundoi në paraburgim.
Prej muajit maj në liri
Në Berlin Adul. B. u nxor para gjyqit me akuzën për përgatitje të një vepre të rëndë dhune që rrezikonte sigurinë e shtetit. Prokuroria kërkoi një dënim me dy vjet e dhjetë muaj heqje lirie. Por gjykata e dënoi me një vit e dhjetë muaj burgim me kusht, pasi çështja u trajtua sipas ligjit më të butë për të rinjtë. Për shkak të dënimit me kusht, i riu u lirua nga burgu dhe që nga mesi i majit të këtij viti, simpatizanti i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) ishte sërish i lirë. Prokuroria paraqiti ankesë kundër vendimit dhe për një periudhë kohe autoritetet vazhduan t’i përgjonin telefonin, por ai nuk u mbajt nën mbikëqyrje të plotë dhe të vazhdueshme.
Kritika ndaj vendimit
Sebastian Fiedler, ekspert për çështjet e sigurisë së brendshme në Partinë Socialdemokrate (SPD), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me partitë konservatore CDU dhe CSU, e kritikoi situatën duke thënë: “Çfarë ndodhi pas lirimit të tij nga burgu? Me kë mbajti ende kontakte? Edhe pse ai kishte qenë nën mbikëqyrje, është e qartë që ka pasur një boshllëk në sistem, dhe pikërisht këtë duhet ta shqyrtojmë me shumë saktësi. Dhe këtë do ta bëjmë, për këtë mund të jeni të sigurt.”
Partia më e madhe opozitare në Bundestag, AfD, e cilësuar pjesërisht si ekstremiste të djathtë, e quajti ngjarjen si dështim total të politikës së sigurisë. Martin Hess, përgjegjës për çështjet e brendshme në AfD, deklaroi: “Nëse një person i njohur nga policia si kërcënim islamist mundi të kryejë një sulm të tillë, atëherë duhet të hetohet plotësisht pse ai ishte ende i lirë të lëvizte.”
Në një intervistë për televizionin ZDF, eksperti i terrorizmit Peter Neumann pranë King’s College London tha: “Në përgjithësi, legjislacioni gjerman penal kundër terrorizmit është tepër i butë.” Sipas tij, dënimet në Gjermani janë relativisht të shkurtra në krahasim me vendet e tjera evropiane, veçanërisht me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Mbikëqyrje e gjithë të rrezikshmëve? Thuajse e pamundur
Megjithatë shumë ekspertë thonë se personat që nuk dënohen me burg nga një gjykatë gjermane mund të mbahen nën mbikëqyrje në mënyrë të plotë dhe të pandërprerë vetëm me shumë vështirësi
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës vlerëson se në Gjermani ka aktualisht rreth 420 persona të klasifikuar si “islamistë të rrezikshëm”. Kjo kategori përfshin persona për të cilët autoritetet besojnë se mund të kryejnë një sulm terrorist. Nuk është e qartë nëse Abdul B. bënte pjesë në këtë kategori. Megjithatë ekspertët vlerësojnë se autoritetet do ta kishin thuajse të pamundur t’i mbanin nën vëzhgim të pandërprerë të gjithë këta persona, 24 orë në ditë.
Aq më tepër që numri i islamistëve potencialisht të gatshëm për të përdorur dhunë në Gjermani konsiderohet shumë më i lartë dhe vlerësohet se shkon në rreth 9.000 vetë.
Kryetari i Federatës së Hetuesve Gjermanë, Dirk Peglow, deklaroi të hënën (27.07.) për gazetën “Handelsblatt”: “Në rastin e një personi me një potencial kaq të lartë rreziku, lirimi nga burgu nuk duhet të nënkuptojë fundin e vëmendjes së shtetit.” Megjithatë edhe ai theksoi se, nëse nga autoritetet pritet që të mbikëqyrin për një kohë të gjatë persona veçanërisht të rrezikshëm, atëherë njësitë e policisë dhe shërbimet e vëzhgimit duhet të jenë të pajisura me personel të mjaftueshëm, të kenë mjetet e nevojshme teknike, dhe të organizohen në mënyrë të përshtatshme. Sipas tij aktualisht këto kushte nuk përmbushen./DW
Fraksion.com

