AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Mbështesim marrëveshjen me SHBA-të, por nuk votojmë procedura antikushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot, se mbështet marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një kredi për pajisjet ushtarake, por theksoi se PD nuk do të votojë procedura antikushtetuese.

Në një deklaratë pë gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha tha se “Rama zhduku flamurin e NATO-s nga institucionet dhe kërkon të kalojë marrëveshjen me procedurë antikushtetuese”.

“Kjo që ndodh sot në parlament brenda, ky është një akt tjetër i turpshëm i Edi Ramës, i cili një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtje, për çka PD është mirënjohëse, do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese. Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese para tre muajve ku konsideron votim jokushtetues votimin për Bordin e Paqes apo për një çështje tjetër”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se “Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet”.

“Edi Rama është personi i vetëm në Evropën ish-komuniste që ka organizuar protesta të egra kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dhe tani, kërkon të dhunojë Kushtetutën dhe të paraqitet si flamurtar për plotësimin e buxhetit për NATO-n. E vërteta është që buxheti për NATO-n sot është 1.3 përqind”, tha Berisha.

Duke u ndalur te protesta e ditës së sotme para Kuvendit, Berisha tha se “asnjë pushtues nuk ka vendosur një shtetrrethim të tillë, qindra traktorë janë bllokuar që të mos vinin në protestë”.

“Një vend anëtar i NATO-s vendos një shtetrrethim të tillë ndaj qytetarëve sikur të ishte Koreja e Veriut. U them sot se qindra e qindra traktorë, zetorë që janë nisur nga të katër anët e Shqipërisë janë bllokuar me urdhër rrugëve, kërcënuar me konfiskim dhe kthyer në mënyrë që të mos mund të shprehin solidaritetin me protestën më të fuqishme të 35 viteve të fundit”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com