Protestuesit i thonë “Jo” ‘Besës’ së Ramës, sot dita e 56 e revoltës qytetare, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit
Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 56-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje para godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimet e përditshme.
Në protestën e zhvilluar një ditë më parë, aktivistët dhe qytetarët i dhanë një përgjigje deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste prezantoi platformën “Besa”, duke kërkuar, sipas tij, një marrëdhënie të re me qytetarët.
Nga podiumi para Kryeministrisë, protestuesit deklaruan se nuk e pranojnë këtë mesazh, duke theksuar se “besa” nuk mund të kërkohet pas 55 ditësh protesta dhe se qeveria, sipas tyre, ka humbur besimin e qytetarëve.
Gjatë fjalimeve, aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar me iniciativa të reja, ndërsa këmbëngulën se protesta nuk ka ndryshuar objektiv.
Ata deklaruan se nuk kërkojnë platforma, premtime apo dokumente të reja, por vetëm largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u theksua se pas dorëheqjes duhet të ketë edhe përballje me drejtësinë, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që, sipas tyre, do të garantojë zgjedhje të lira.
Në përfundim të fjalimeve, qytetarët zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke brohoritur “Rama ik”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet”.
Edhe sot në mbrëmje, protestuesit pritet të rikthehen para Kryeministrisë për ditën e 56-të radhazi, duke përsëritur se nuk do t’i ndalin tubimet derisa të realizohet kërkesa e tyre kryesore: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Fraksion.com

