AktualitetBota+Të fundit

Turqi: Çfarë shansesh do të kishte një parti e re opozitare?

Deri në fund, Özgür Özel luftoi për të qëndruar në CHP-në opozitare, por pa sukses. Tani politikani turk po themelon partinë e tij dhe deri në 90 deputetë mund t’i përgjigjen thirrjes së tij.

Ishin pamje tronditëse ato që në mëngjesin e hershëm të 24 majit u shpërndanë nga Ankaraja në mbarë botën: pasi një gjykatë në Turqi urdhëroi shkarkimin e drejtuesve të CHP-së, njësitë speciale turke rrethuan selinë e partisë më të madhe opozitare në vend. Duke përdorur gaz lotsjellës, ato u përpoqën të hynin me forcë në ndërtesë. Udhëheqja e partisë kishte bllokuar hyrjet me tavolina dhe karrige. Vetëm pas disa orësh ajo hoqi dorë nga rezistenca.

“Ne duam të shmangim një përshkallëzim të situatës dhe po largohemi nga shtëpia jonë me vullnetin tonë të lirë”, tha atëherë kryetari i partisë, Özgür Özel, dukshëm i prekur. “Faji ynë i vetëm është se fituam kundër partisë qeverisëse”, shtoi 51-vjeçari.

Në fakt, drejtimi i ri dhe popullor i CHP-së nën udhëheqjen e Özel kishte arritur diçka që askush nuk kishte mundur ta bënte për 22 vjet: ta mposhtte partinë qeverisëse AKP në nivel kombëtar. Në zgjedhjet lokale të marsit 2024, CHP u bë forca më e madhe politike dhe fitoi bashkitë e 14 qyteteve të mëdha, përfshirë edhe Stambollin. Kryetari i Bashkisë së Stambollit, , u bë aq popullor sa shumë shpejt u profilizua si një sfidues serioz i presidentit Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Menjëherë pas kësaj filloi ndjekja gjyqësore: Imamoglu u arrestua, si edhe shumë kryetarë të tjerë bashkish dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ata akuzohen për korrupsion dhe mashtrim. Hetimet u shtrinë edhe ndaj drejtuesve të partisë, gjë që në majin e kaluar çoi në shkarkimin e tyre të urdhëruar nga gjykata.

Tani, dy muaj më vonë, ish-kryetari i rrëzuar nga posti, Özel, ka njoftuar themelimin e një partie të re.

Një parti tradicionale e përçarë

CHP është partia më e vjetër e Turqisë, e themeluar në vitin 1923 nga Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi i shtetit turk. Tradicionalisht ajo përfaqëson ndarjen e shtetit nga feja, patriotizmin dhe republikanizmin.

Özgür Özel, i cili mori drejtimin e partisë në vitin 2023 me krahun reformator, e hapi CHP-në përtej elektoratit të saj tradicional dhe vendosi më fort në qendër vlerat socialdemokrate. Siç treguan zgjedhjet komunale që pasuan, kjo strategji rezultoi e suksesshme.

Pas shkarkimit të tij, një gjykatë ia riktheu drejtimin e partisë Kemal -t, paraardhësit të Özel-it. Figura drejtuese nga partia e tij kishin humbur çdo zgjedhje kundër AKP-së për më shumë se dy dekada dhe ai konsiderohej si kundërshtari i preferuar i Erdoğanit.

Portret i Ekrem Imamoglu
Imamoglu u arrestua, akuzohet për korrupsion dhe mashtrim.Fotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Pse udhëheqja e vjetër po merr pjesë në përçarjen aktuale dhe po pranon ndjekjen gjyqësore të anëtarëve të partisë mbetet objekt spekulimesh të shumta. Vëzhguesit dyshojnë për llogari politike që i shërbejnë Erdoğanit, sepse kështu ai mund të neutralizojë kundërshtarët më të rrezikshëm përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për vitin 2028.

Parti e re, shpresë e re

Deri në fund, Özel dhe krahu i tij luftuan për të qëndruar në parti, por sipas tyre u detyruan të shkëputeshin për shkak të politizimit gjithnjë e më të madh të sistemit gjyqësor.

Në fjalimin e tij të fundit para grupit parlamentar të martën (22.07.2026), ai u bëri thirrje mbështetësve të fillonin një kapitull të ri: “Ne mbartim brenda nesh shpresën e palëkundur për një fillim të ri. A jeni gati për marshimin e madh? Le të marshojmë së bashku drejt pushtetit, miq.” Vëzhguesit presin që 80 deri në 90 nga 135 deputetët e CHP-së mund të kalojnë në partinë e re, gjë që do ta bënte atë menjëherë grupimin më të madh opozitar në parlamentin turk. Edhe partitë më të vogla opozitare reaguan pozitivisht dhe i bënë thirrje Özel-it 51-vjeçar që të bashkojë forcat opozitare.

A mund të bëhet e rrezikshme për qeverinë?

Seren Selvin Korkmaz, drejtore e institutit kërkimor IstanPol në Stamboll, vlerëson se partia e re e Özel-it ka perspektiva të mira suksesi, pasi shumica e mbështetësve të deritanishëm të CHP-sëdo ta përkrahnin atë.

Megjithatë, ajo paralajmëron se ky elektorat nuk duhet konsideruar si i garantuar. Sipas një ankete të fundit, votuesit nuk duan thjesht vazhdimin e CHP-së me një emër të ri, por një parti me fytyra të reja që ruan trashëgiminë e CHP-së dhe njëkohësisht e tejkalon atë.

Anketa tregon se rreth 30 për qind e të pyeturve do të votonin për një parti të tillë ose të paktën po e konsiderojnë këtë mundësi. Një tjetër 19 për qind e lidh vendimin e tyre me programin politik, kandidatët dhe ekipin drejtues.

Për këtë arsye, Korkmaz flet për një “potencial të gjerë, por të kushtëzuar prej gati 49 për qind”. Ky potencial mbështetet si në simpatinë personale për Özel-in, ashtu edhe në reagimin e gjerë ndaj ndërhyrjes në drejtimin e zgjedhur të partisë. Sipas saj, baza opozitare e votuesve është e hapur dhe e gatshme për një parti të re.

Kemal Kılıçdaroğlu para logos së partisë
Pas humbjes së radhës të kryetarit të atëhershëm të partisë, Kemal Kılıçdaroğlu, ndaj Erdoğanit në zgjedhjet presidenciale, krahu i ri reformator i udhëhequr nga Özel dhe kryebashkiaku i Stambollit, Imamoglu, kërkoi tërheqjen e Kılıçdaroğlu-t dhe ekipit të tij drejtues. Në një garë të fortë në kongresin e partisë në vjeshtën e vitit 2023, ata arritën të fitonin.Fotografi: ANKA

Cilët votues mund të tërheqë?

Politologia Korkmaz beson se partia e re mund të tërheqë jo vetëm votues të CHP-së, por edhe mbështetës të Partisë nacional-konservatore IYI dhe të partisë prokurde DEM. Ajo sheh gjithashtu mundësi për të fituar një pjesë të votuesve të AKP-së dhe të partnerit të saj ultranacionalist MHP.

Sfida më e madhe do të jetë bashkimi në një gjuhë të përbashkët politike i pritshmërive shpesh të kundërta të votuesve tradicionalë të CHP-së, nacionalistëve, kurdëve dhe konservatorëve.

Nëse partia arrin të mos shndërrohet as në një parti ideologjikisht të ngushtë dhe as në një parti pa profil politik, ajo mund të ketë sukses. Nga retorika e deritanishme e Özel-it, Korkmaz lexon pikërisht këtë synim: krijimin e një qendre gjithëpërfshirëse me një shtyllë kurrizore republikaniste dhe socialdemokrate.

Si erdhi deri te përçarja?

Origjina e konfliktit daton që nga viti 2023. Pas humbjes së radhës të kryetarit të atëhershëm të partisë, Kemal Kılıçdaroğlu, ndaj Erdoğanit në zgjedhjet presidenciale, krahu i ri reformator i udhëhequr nga Özel dhe kryebashkiaku i Stambollit, Imamoglu, kërkoi tërheqjen e Kılıçdaroğlu-t dhe ekipit të tij drejtues. Në një garë të fortë në kongresin e partisë në vjeshtën e vitit 2023, ata arritën të fitonin.

Dy muaj më parë, gjykata kompetente e shpalli të pavlefshëm pikërisht atë kongres për shkak të parregullsive të pretenduara. Si pasojë, Özel dhe drejtuesit e partisë u shkarkuan nga detyrat e tyre dhe kontrolli i partisë iu rikthye gardës së vjetër.

Zgjedhjet e ardhshme të rregullta presidenciale do të mbahen në vitin 2028. Ende mbetet e paqartë nëse Özel dhe ekipi i tij do të arrijnë deri atëherë të krijojnë struktura partiake në të paktën 41 nga 81 provincat e Turqisë, kusht i domosdoshëm për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Ndryshe nga CHP-ja, partia e re nuk disponon ende rrjete të konsoliduara organizative apo pasuri partiake, të cilat do ta lehtësonin këtë proces./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com