AktualitetPolitikëTë fundit

Kuvendi në seancë plenare, “në shqyrtim projektrezolutat e institucioneve të pavarura të drejtësisë”

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në ora 10:00 seancë plenare.

Në fillim të seancës do të miratohen procesverbalet e seancave plenare të datave 16 dhe 23 korrik 2026, si dhe do të zhvillohen njoftimet përkatëse.

Më pas deputetët do të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025.

Raportet do të paraqiten nga drejtuesit e institucioneve përkatëse, ndërsa më pas do të zhvillohen diskutime parlamentare sipas kohës së përcaktuar për grupet parlamentare.

Në vijim të seancës është parashikuar një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi, si dhe dy seanca pyetje-përgjigje me të njëjtin ministër, të kërkuara nga deputetët Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.

Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu dy akte normative të qeverisë. I pari lidhet me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, ndërsa i dyti me financimin e pjesshëm të organizimit të koncertit të këngëtarit Kanye Ëest në Tiranë.

Në rend dite janë përfshirë edhe një sërë projektligjesh me fokus afrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane, përfshirë projektligjet për grupimet ekonomike me interes evropian, shoqëritë evropiane të bashkëpunimit, statutin e shoqërive evropiane, si dhe ndryshime në fusha si turizmi, Kodi Detar, pronësia industriale, kontabiliteti dhe pasqyrat financiare.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në ligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Në fund të rendit të ditës janë parashikuar katër projektvendime për emërime në Komisionin e Prokurimit Publik, përfshirë emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të rinj të këtij institucioni.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com