Të shtëna me armë gjatë natës në Elbasan, plagosen tre të rinj
Tre persona mbetën të plagosur mbrëmjen e sotme, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 20:30, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të shtetasve A.T., 32 vjeç, R.M., 31 vjeç dhe B.H., 19 vjeç, të cilët mbetën të plagosur dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, në ambientet e lokalit ndodhej një efektiv policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë largimit, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe administrimin e provave materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Fraksion.com

