AktualitetLife StyleNATO/BETë fundit

Hyn në fuqi rregullorja e re e BE-së për veshjet e pashitura

Sipas rregullave të reja për reduktimin e mbetjeve, kompanitë e mëdha në të gjithë Bashkimin Evropian nuk mund të asgjësojnë më rroba, aksesorë dhe këpucë të pashitura.

Qindra mijëra tonë veshje mode asgjësohen çdo vit në 27 vendet anëtare të BE-së për shkak të dëmtimeve, stokut të vjetër dhe kthimeve të porosive online.

Rregulli i ri pritet të ndikojë te tregtarët e pakicës të modës, tregtarët me shumicë dhe prodhuesit e veshjeve, nga të cilët vetëm 20% prodhohen brenda BE-së.

Cilat janë rregullat e reja?

Sipas Rregullores së BE-së për Ekodizajnin e Produkteve të Qëndrueshme, kompanive të mëdha me më shumë se 250 punonjës dhe mbi 50 milionë euro xhiro neto vjetore u ndalohet të asgjësojnë stoqet e rrobave, aksesorëve dhe këpucëve të pashitura.

Kompanitë duhet tani të gjejnë mënyra për t’i shitur këto produkte, përfshirë përmes zbritjeve, tregjeve alternative dhe donacioneve për bamirësi.

Rrobat e pashitura mund të asgjësohen vetëm kur artikujt janë të pasigurt, të dëmtuar, të falsifikuar ose janë refuzuar nga organizatat bamirëse, sipas një njoftimi në faqen e Komisionit Evropian. Kompanive u kërkohet tashmë të publikojnë raporte vjetore mbi mallrat që kanë hedhur poshtë dhe të ruajnë dokumentacionin për pesë vjet. Rregullorja, e miratuar nga Brukseli më shumë se dy vjet më parë, do të zgjerohet edhe për kompanitë e mesme në vitin 2030. BE-ja shpreson që ky ndalim i asgjësimit të ndihmojë në uljen e emetimeve të CO₂.

Sa i madh është problemi i mbetjeve në industrinë e modës?

Shqetësimet për të ashtuquajturën “modë e shpejtë”(fast fashion), pra veshje të prodhuara masivisht, me kosto të ulët dhe cilësi më të dobët, janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), rreth 4% deri në 9% e produkteve tekstile të pashitura asgjësohen çdo vit. Problemi është përkeqësuar nga rritja e shpejtë e blerjeve online dhe e produkteve të kthyera nga blerësit online.

Në BE, një në pesë artikuj mode të porositur online kthehet më pas te shitësi dhe nuk rishitet.

Në total, kjo përkthehet në qindra mijëra tonë rroba, aksesorë dhe këpucë.

Ndalimi i ri synon të zvogëlojë ndikimin në mjedis, pasi djegia e miliona veshjeve dëmton përpjekjet për uljen e emetimeve të gazeve serrë.

Shtetet e BE-së janë gjithashtu nën presion për të marrë në konsideratë mbetjet që krijohen nga lëndët e para, uji, energjia dhe transporti në sektorin e veshjeve, si dhe për të nxitur më shumë riciklimin dhe ripërdorimin e produkteve.

Në një postim të fundit në LinkedIn, Agjencia Evropiane e Mjedisit deklaroi se BE-ja dëshiron që industria e tekstileve të bëhet më e qëndrueshme. “Një ekonomi qarkulluese, ku produktet projektohen për të rezistuar më gjatë dhe ripërdoren, riparohen dhe riciklohen, nuk është më vetëm një vizion, por po përfshihet në legjislacion përmes këtyre masave të reja,” shkroi EEA.

Industria e modës ka mbrojtur vazhdimisht praktikat e saj, duke theksuar se asgjësimi i produkteve është shpesh më i lirë sesa ruajtja, riparimi ose shitja e tyre me zbritje.

Grupet mjedisore shpresojnë se ndalimi do të reduktojë mbetjet dhe mbiprodhimin.

Cili është reagimi ndaj ndalimit?

Federata Gjermane e Tregtisë me Pakicë (HDE) deklaroi se konsumatorët do të përfitojnë nga ky ndalim, pasi më shumë veshje me çmime të ulura do të dalin në shitje përmes outlet-eve, tregjeve të likuidimit dhe kanaleve të dorës së dytë.

Megjithatë, drejtori menaxhues i HDE-së, Stefan Genth, paralajmëroi se ndryshimi i rregullave do të jetë sfidues për shumë dyqane. “Jo të gjitha mallrat e pashitura mund të rishiten ose të dhurohen lehtësisht,” tha ai, duke përmendur si arsye paketimin e dëmtuar, kostot e larta logjistike, mungesën e kërkesës ose vlerën e ulët të produkteve./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com