“Brezat e rinj të mos ndjekin rrugën time”, Bosi i Kartelit të Sinaloas kërkon falje në gjykatë: Burgim i përjetshëm për ‘El Mayo’!
Ismael “El Mayo” Zambada, një nga figurat më të njohura dhe më të fuqishme të botës së trafikut të drogës në Meksikë, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund karrierës kriminale të njërit prej themeluesve të Kartelit të Sinaloas. 76-vjeçari, i cili ngriti kartelin së bashku me Joaquín “El Chapo” Guzmán, u paraqit para gjykatës në Brooklyn, ku kërkoi falje për veprimet e tij. Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata urdhëroi që ai të paguajë edhe 15 miliardë dollarë, shumë që autoritetet amerikane e konsiderojnë si fitim të përfituar nga aktiviteti i tij kriminal.
Arrestimi i Zambadas në vitin 2024 u konsiderua një nga operacionet më të bujshme kundër karteleve. Sipas autoriteteve, ai u mashtrua nga Joaquín Guzmán López, djali i El Chapos, i cili e bindi se po udhëtonin drejt veriut të Meksikës për të inspektuar pista ajrore sekrete. Në vend të kësaj, avioni u ul në Teksas, ku Zambada u arrestua nga autoritetet amerikane.
Më pas ai pranoi fajësinë për akuza që lidhen me trafikun e drogës dhe komplotin kriminal, në këmbim të heqjes dorë nga kërkesa për dënim me vdekje. Marrëveshja e pranimit të fajësisë parashikonte si dënim të detyrueshëm burgimin e përjetshëm. Gjatë seancës, Zambada foli në spanjisht përmes një përkthyesi, duke shprehur pendesë për pasojat e veprimeve të tij.
Ndërkohë, Joaquín Guzmán López, i arrestuar gjithashtu në korrik 2024, është deklaruar fajtor për akuza të lidhura me trafikun e drogës, por ende pret vendimin përfundimtar të gjykatës. Në marrëveshjen me prokurorët, Zambada pranoi zyrtarisht se kishte një rol kyç në ndërtimin e rrjetit të Kartelit të Sinaloas, i cili për dekada dërgoi sasi të mëdha kokaine dhe drogash të tjera drejt tregut amerikan. Një nga çështjet që mbetet e hapur është vendi ku ai do të vuajë dënimin. Përmes avokatëve, Zambada ka kërkuar të transferohet në një strukturë spitalore brenda sistemit penitenciar, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore dhe mosha e avancuar kërkojnë kujdes të vazhdueshëm mjekësor.
Pas arrestimit të tij, Karteli i Sinaloas është përfshirë në një konflikt të ashpër të brendshëm mes fraksioneve rivale. Përplasjet kanë shkaktuar qindra viktima dhe persona të zhdukur, duke përkeqësuar situatën e sigurisë në shtetin meksikan të Sinaloas. Megjithatë, analistët vlerësojnë se dënimi i “El Mayos” nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm aktivitetin e kartelit apo trafikun e drogës drejt SHBA-ve. Organizatat kriminale kanë treguar se përshtaten shpejt me ndryshimet në drejtim, ndërsa figura të reja marrin vendin e liderëve të arrestuar ose të dënuar. Edhe “El Chapo” Guzmán, ish-partneri i Zambadas, po vuan aktualisht dënimin me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com

