AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Rama do të heqë edhe 20 bashki

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se reforma territoriale dhe ndryshimet e mundshme në numrin e bashkive duhet të kundërshtohen përmes protestave qytetare.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka ndërprerë procesin e konsultimeve për reformën territoriale, pavarësisht dakordësisë së arritur më herët në komision për shtyrjen e afatit të punimeve.

“E vërteta është se në mënyrë të papritur Edi Rama urdhëroi ndërprerjen e një procesi në vazhdim, për të cilin palët ishin plotësisht dakord të kërkohej shtyrja mbasi nuk kishte përfunduar as procesi i konsultimeve publike. Dhe pavarësisht nga dakordësia e arritur në komision për shtyrjen e afatit të punimeve të komisionit, Edi Rama e futi në rend dite për ta mbyllur këtë”, u shpreh Berisha.

Ai deklaroi se Partia Demokratike është angazhuar në këtë proces për të mbrojtur interesat e qytetarëve, duke pretenduar se ka pasur kërkesa nga banorë të bashkive të ndryshme për të qenë pjesë e diskutimeve.

“Që në fillim ne theksuam se ne jemi këtu për të mbrojtur interesat e qytetarëve, dhe duhet të jemi të sinqertë, kishim shumë kërkesa nga qytetarë të bashkive të ndryshme që të jemi pjesë e saj dhe u bëmë pjesë me të gjithë energjitë tona”, tha Berisha.

Berisha akuzoi qeverinë se po ndjek një politikë të shpopullimit dhe pretendoi se synohet heqja e 20 bashkive të tjera.

“Tani ai kërkon të zbatojë më tej politikën e shpopullimit duke hequr edhe 20 bashki të tjera”, tha Berisha.

Ai shtoi se, “zgjidhja e parë janë protestat e fuqishme në të gjitha këto bashki dhe në të gjithë vendin”.

“Javën që kaloi ai çoi 1.5 miliardë euro në bashkitë e tij në vit elektoral. Rama nuk bën zgjedhje. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com