“Hetimi i krimit zgjedhor të ndjekë gjurmën e parasë”, Kreu i SPAK: Task-Forca të jetë e përhershme
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodjan Braho, deklaroi sot në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore se përvoja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 tregoi se bashkëpunimi mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një nga elementët kyç për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
Sipas Brahos, task-forca e SPAK me mbulim kombëtar, e koordinuar me seksionet e posaçme të ngritura në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dha rezultate konkrete dhe krijoi një efekt parandalues përmes pranisë së hershme dhe koordinimit të institucioneve.
Braho theksoi se mekanizmi i bashkëpunimit nuk duhet të kufizohet vetëm në ditën e votimit, por duhet të aktivizohet të paktën katër muaj para zgjedhjeve dhe të vijojë deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave.
“Përvoja e vitit 2025 tregoi se prania e hershme dhe e dukshme e institucioneve ka efekt parandalues. Vetë fakti që SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, KQZ dhe strukturat ligjzbatuese ishin më të koordinuara, më të pranishme në terren dhe më aktive në komunikimin publik, krijoi një nivel më të lartë vëmendjeje ndaj përgjegjësisë penale për sjelljet që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Ky efekt parandalues është i rëndësishëm dhe duhet ruajtur, por ai nuk mund të mbështetet vetëm te prania në ditën e votimit. Për këtë arsye, mekanizmi i bashkëpunimit duhet të aktivizohet më herët, të paktën katër muaj përpara datës së zgjedhjeve, dhe të vijojë deri pas përfundimit të numërimit të votave”, tha Braho.
Braho nënvizoi se korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si një akt i izoluar, pasi në shumicën e rasteve përfitimi synon një subjekt politik, kandidat apo grup interesi. Për këtë arsye, sipas tij, hetimet duhet të shtrihen përtej dhënësit dhe marrësit të përfitimit, duke identifikuar burimin e financimit, organizatorët, ndërmjetësit dhe përfituesit realë të skemave të korrupsionit zgjedhor.
“Kjo është arsyeja pse, për zgjedhjet e ardhshme, fokusi duhet të jetë më i qartë te gjurma financiare. Shitblerja e votës, favoret administrative, pagesat cash, mbështetja logjistike, shërbimet apo përfitimet e tjera nuk duhen parë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato duhet të analizohen si pjesë e një zinxhiri që lidh burimin e parave, mënyrën e shpërndarjes, ndërmjetësit, zonën ku ushtrohet ndikimi dhe përfituesin politik ose elektoral të skemës. Në këtë kuptim, gjetja kryesore është se modeli i vitit 2025 funksionoi, por duhet konsoliduar më tej duke e orientuar drejt gjurmimit financiar dhe identifikimit të përfituesve realë të korrupsionit zgjedhor”, tha Braho.
Duke analizuar përvojën e zgjedhjeve të vitit 2025, Braho paraqiti tre propozime konkrete për reformën zgjedhore.
“Së pari, mund të vlerësohet hartimi i një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor. Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm nëpërmjet reagimit penal pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar, ku parandalimi, monitorimi administrativ, raportimi qytetar, verifikimi policor, hetimi penal dhe kontrolli financiar të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm institucional.
“Së dyti, protokolli i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të kalojë nga një instrument i përkohshëm për një cikël zgjedhor, në një mekanizëm të qëndrueshëm dhe të përhershëm të normuar me ligj. Ky mekanizëm duhet të përfshijë jo vetëm SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, por edhe Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese që kanë rol në verifikimin e indicieve, në gjurmimin e burimeve financiare dhe në dokumentimin e rasteve. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të aktivizohet më herët dhe të zgjasë më gjatë.
“Së treti, mund të vlerësohet rishikimi i politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor. Kjo nuk duhet kuptuar si rritje mekanike e dënimeve për çdo rast, por si nevojë për të vlerësuar nëse marzhet aktuale të dënimit janë të përshtatshme për rastet kur vepra kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë”, tha ai.
Sipas tij, individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin dhe shtabin e tij elektoral, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik.
Në përfundim, Braho ritheksoi se SPAK do të vijojë të ndjekë një qasje proaktive në hetimin e krimeve zgjedhore, me hetime të bazuara në prova dhe analiza risku, duke mos e kufizuar punën vetëm gjatë periudhave zgjedhore.
“SPAK do të synojë të ketë një qasje më proaktive në hetimin e krimeve zgjedhore, hetime më të thelluara dhe ndjekje penale në mënyrë sistematike, duke mos u kufizuar vetëm në periudhën zgjedhore, si dhe duke u orientuar nga analiza e riskut të pranisë së këtij fenomeni në pjesë të territorit. Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë. Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit. Nëse reforma arrin ta lidhë hetimin penal me kontrollin financiar, bashkëpunimin institucional dhe reagimin e hershëm, atëherë lufta kundër krimit zgjedhor nuk do të jetë më vetëm reagim pas faktit, por mekanizëm real mbrojtjeje për votën”, tha Braho.
Fraksion.com

