Tabaku: Sundimi i ligjit, prova e vërtetë e integrimit
Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, deklaroi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk duhet të shihet vetëm si një proces teknik, por si një mundësi për transformimin e shtetit dhe forcimin e institucioneve.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Tabaku tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën një aspiratë kombëtare dhe se, pavarësisht ndasive politike, ekziston një konsensus i gjerë për përfundimin me sukses të këtij procesi.
Sipas saj, ndryshimi mes forcave politike qëndron te mënyra se si konceptohet rrugëtimi drejt BE-së. Tabaku theksoi se procesi i integrimit duhet të shërbejë për transformimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
“Qeveria shpeshherë e paraqet procesin e integrimit si një kalendar teknik, si një listë kapitujsh që hapen e mbyllen, ndërkohë që ne duhet patjetër ta shohim këtë proces si një proces transformimi, si një proces shtetformimi, si një mundësi për ta ndryshuar mundësinë e qeverisjes, për t’i forcuar institucionet, për t’i dhënë fund edhe kulturës së pandëshkueshmërisë”, tha Tabaku, duke shtuar se hapja dhe mbyllja e kapitujve janë arritje të Shqipërisë dhe të administratës, por se BE-ja kërkon zbatim konkret dhe rezultate të qëndrueshme.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku u ndal edhe tek reforma në drejtësi dhe roli i SPAK-ut. Tabaku tha se ligji duhet të zbatohet njëlloj për qytetarët e zakonshëm dhe për personat që ushtrojnë pushtet politik, ekzekutiv apo ekonomik.
Ajo vlerësoi faktin që reforma në drejtësi ka mundësuar hetimin dhe dërgimin përpara drejtësisë të zyrtarëve të niveleve të ndryshme, duke theksuar se çdo person duhet të konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar gjykate.
“Një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës, siç me të drejtë e thanë kolegët, është njëkohësisht edhe pikërisht ajo themeloria, reforma në drejtësi. Kjo do të thotë se ligji duhet të zbatohet njëlloj edhe ndaj atij qytetarit të zakonshëm që sot proteston, po kështu edhe ndaj njeriut me pushtet politik, ekzekutiv apo ekonomik. Gjatë viteve të fundit, po, është e vërtetë, të gjithë forcat politike kanë mbështetur reformën në drejtësi duke krijuar Prokurorinë e Posaçme Speciale, e cila ka hetuar e dërguar përpara drejtësisë ministra, ish-zëvendëskryeministra, kryetarë bashkie, deputetë, drejtorë dhe persona shumë pranë qendrës të pushtetit. Së fundmi, hetimi ka ndalur edhe në një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë kombëtare, ndaj ish-drejtoreshës së shërbimit informativ, e cila ka akuza të rënda në fakt përpara drejtësisë. Natyrisht, çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Ky është një parim që ne duhet ta mbrojmë për kudo, pa përjashtim, por respektimi i prezumimit të pafajësisë nuk na ndalon ne që të kërkojmë përgjegjësitë, qoftë politike, qoftë institucionale.
Në të njëjtën kohë, Tabaku shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi si presion politik dhe verbal ndaj SPAK-ut.
“Mosndërhyrja tek SPAK-u duhet patjetër që të konsiderohet si një zbatim minimal i Kushtetutës, jo si një nder që qeveria i bën Shqipërisë. Ndërkohë që sot, vjen keq ta them, por SPAK-u është nën presion, qoftë politik, qoftë verbal. Pikëpyetjet bëhen më serioze kur ne shohim përpjekje edhe për avokati politike ndaj personave që janë në hetim, kur provat shpeshherë minimizohen, ose kur parlamenti përdoret për t’i vendosur pengesa drejtësisë. Prezumimi i pafajësisë nuk mund të përdoret për të ndërtuar prezumimin e fajësisë ndaj prokurorëve. Asnjë i akuzuar nuk paraqitet si viktimë. Kjo nuk është mbrojtje e drejtësisë, por është një përpjekje për ta gjykuar politikisht atë”, tha Tabaku.
Deputetja e PD-së kërkoi gjithashtu më shumë transparencë në prokurimet publike, kontroll parlamentar mbi institucionet dhe emërime të bazuara në meritë. Sipas saj, sektorët strategjikë si mbrojtja, siguria, shëndetësia dhe digjitalizimi duhet të jenë subjekt i kontrollit dhe transparencës institucionale.
“Kjo vlen edhe për mënyrën se si sot administrohen sektorët strategjikë. Mbrojtja, siguria, shëndetësia, digjitalizimi nuk mund të kthehen në zona ku nuk ka transparencë, ku nuk ka kontroll parlamentar”, tha ajo.
Tabaku tha se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të kufizohet vetëm te arrestimet, por duhet të shoqërohet me krijimin e institucioneve që parandalojnë abuzimin me pushtetin.
Ajo renditi edhe disa angazhime që, sipas saj, duhet të marrë opozita në kuadër të procesit të integrimit, përfshirë mospërdorimin e imunitetit parlamentar si mburojë ndaj drejtësisë, transparencën e kontratave publike, kontrollin parlamentar dhe forcimin e ekonomisë konkurruese.
“Për mua, por njëkohësisht dhe për opozitën, në procesin e integrimit patjetër ne duhet të kujdesemi që imuniteti parlamentar të mos përdoret kurrë si mburojë kundër drejtësisë. Kjo është Evropa që unë njoh. Sikundër që duhet të ofrojmë një transparencë të plotë për prokurimet, duhet patjetër çdo kontratë publike të jetë transparente, sepse kjo është Evropa që ju keni në parlamentet tuaja. Duhet të angazhohemi për emërime në bazë të meritës, por edhe për kontroll parlamentar mbi çdo institucion. Duhet të angazhohemi që lufta ndaj korrupsionit të mos përfundojë vetëm me arrestime, por njëkohësisht të kemi edhe institucione të forta që ta parandalojnë atë. Duhet të angazhohemi për një ekonomi konkurruese që punon për të gjithë, por që lufton njëkohësisht edhe informalitetin e paranë pistë. Shqipëria duhet patjetër të hyjë në Evropë, jo duke i fshehur problemet e saj, duke i zgjidhur ato përpara se të shkojnë në Evropë. Jo nga dritarja e propagandës, por duhet patjetër të kemi hyrje nga dera e reformave”, tha ajo.
Në përfundim, ajo e cilësoi integrimin evropian jo vetëm si një destinacion gjeografik, por si një model shteti që Shqipëria duhet ta ndërtojë për brezat e ardhshëm.
Fraksion.com

