Krimet zgjedhore, Braho: Gjatë pesë viteve u regjistruan 157 procedime penale
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, mori pjesë sot në seancën dëgjimorë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore mbi efikasitetin e masave penale në procesin zgjedhor, sfidat e hasura në praktikë dhe nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor e institucional për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.
Braho theksoi se kontributi i SPAK-ut fokusohet në çështjet që lidhen me ligjin penal, kompetencat e institucionit dhe hetimin e veprave penale që cenojnë procesin zgjedhor. Ai sqaroi se jo çdo pretendim publik apo parregullsi zgjedhore përbën automatikisht vepër penale apo hyn në kompetencën e SPAK-ut.
“Jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën tonë dhe jo çdo parregullsi gjatë procesit zgjedhor përbën vepër penale”, tha ai.
Megjithatë, shtoi Braho, “jemi të ndërgjegjshëm se pritshmëria publike ndaj SPAK-ut në këtë fushë është shpesh më e gjerë se kompetenca ligjore e institucionit”.
Ai solli në vëmendje edhe raportet e OSBE/ODIHR-it, të cilat sipas tij kanë evidentuar vazhdimisht shqetësime për shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe administratës publike, përdorimin e burimeve shtetërore dhe financimin e fushatave zgjedhore.
Duke u ndalur tek të dhënat, Braho theksoi se gjatë periudhës 2021-2025, SPAK ka administruar gjithsej 233 materiale zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale.
“Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2022 u regjistruan 5 procedime penale, në vitin 2023 u regjistruan 36 procedime penale, në vitin 2024 u regjistruan 7 procedime penale, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 46 procedime penale. Për vitin 2026, deri më sot, janë regjistruar 2 procedime penale”, tha ai.
Braho theksoi se këto shifra tregojnë se krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit.
“Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e punës së SPAK lidhet me vlerësimin fillestar të kompetencës, me dallimin ndërmjet shkeljes administrative dhe faktit penal, me verifikimin e burimit të informacionit dhe me identifikimin e rasteve ku ekzistojnë elemente konkrete për regjistrimin e procedimit penal.
“Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se kjo qasje prodhoi një volum të lartë pune dhe një bazë të gjerë informacioni. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u administruan 194 materiale, sinjalizime, kallëzime, referime dhe informacione të lidhura me dyshime për krime zgjedhore”, tha ai.
Sipas Brahos, origjina e këtyre materialeve tregon një ndryshim të rëndësishëm.
“Në vitin 2025, nga 46 procedime penale të regjistruara, 47.8 për qind janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit dhe 23.9 për qind janë nisur kryesisht nga SPAK, ndërsa 28.3 për qind ka ardhur nga kallëzime të shtetasve, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, subjektet politike dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve”, tha Braho.
Sipas Brahos, ndryshimi kryesor në vitin 2025 ishte qasja proaktive e SPAK, i cili nuk priti vetëm kallëzimet, por punoi për të identifikuar më herët rreziqet dhe për të koordinuar informacionin në funksion të hetimeve.
“Dallimi kryesor i vitit 2025 ishte se institucioni nuk priti vetëm ardhjen e kallëzimeve. Ai u përpoq të lexojë riskun më herët, të koordinojë informacionin më shpejt dhe të orientojë reagimin sipas kompetencës dhe provave. Fakti që 23.9 për qind e procedimeve janë nisur kryesisht nga SPAK është tregues i rëndësishëm.
“Nga totali i procedimeve të regjistruara në vitin 2025, 5 procedime me 9 të pandehur janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, 9 janë dërguar me kërkesë për pushim, 5 janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, 1 është pezulluar, 4 janë bashkuar me procedime të tjera dhe 22 mbeten në hetim deri më sot”, tha Braho.
Braho bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2026 janë dënuar 7 persona për vepra që prekin zgjedhjet, duke treguar se ecuria gjyqësore e këtyre çështjeve vazhdon edhe pas përfundimit të ciklit zgjedhor.
“Në grupin e rasteve të analizuara, mesatarja e dënimit me burgim është rreth 13 muaj dhe një pjesë e konsiderueshme ka përfituar nga alternativat e dënimit me burgim. Kjo tregon se efekti parandalues i sanksionit penal mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me peshën e fenomenit dhe të ndikimit që këto vepra kanë mbi integritetin e procesit zgjedhor.
“Për këtë arsye, një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe në raport me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor. Ky rishikim nuk duhet të jetë as i përgjithshëm, as mekanik. Ai duhet të diferencojë zgjedhësin, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik”, tha Braho.
Fraksion.com

