AktualitetPolitikëTë fundit

Sot dita e 19-të e revoltës qytetare, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Sot në mbrëmje do të mbahet protesta e 19-të radhazi në Tiranë, ku mijëra qytetarë pritet të mblidhen në sheshin përpara Kryeministrisë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij, ndërsa gjatë tubimit artikulohen kritika edhe  kundër opozitës . Një nga sloganet që është bërë pjesë e protestave është “Opozita jemi ne”, duke shprehur refuzimin e protestuesve ndaj partive të vjetra politike dhe kërkesën për një përfaqësim të ri qytetar.

Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu mesazhe kundër të gjithë klasës politike të vjetër, duke theksuar se përgjegjësia për situatën aktuale nuk i atribuohet vetëm mazhorancës, por edhe opozitës.

Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, organizatorët kanë vendosur që edhe sot protesta të nisë në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin pjesë në kushte më të favorshme.

Edhe protesta e zhvilluar një ditë më parë u karakterizua nga pjesëmarrje e lartë, me një numër të madh qytetarësh që mbushën sheshin dhe marshuan në qendër të Tiranës, duke vijuar serinë e tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe establishmentit politik.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com