Shqipëria merr pjesë në ministerialin e NATO-s në Bruksel, në fokus rritja e kapaciteteve ushtarake
Ministeriali i Ministrave të Mbrojtjes të Aleancës së Atlantikut të Veriut është mbledhur sot në Bruksel, në selinë qendrore të NATO-s.
Gjatë takimit, ku merr pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, në fokus janë siguria dhe zhvillimet strategjike të Aleancës.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për Aleancën, mes përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve ushtarake, modernizimin e industrisë së mbrojtjes dhe përgatitjeve për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.
Të mërkurën, gjatë konferencës në prag të ministerialit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paraqiti prioritetet për takimin e ministrave të Mbrojtjes të Aleancës. “Aleatët do të demonstrojnë progres në ndërtimin e një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fortë. Ne kemi nevojë për më shumë forca, më shumë burime dhe një bazë industriale shumë më të fuqishme. Kjo nënkupton rritje të qëndrueshme të investimeve në mbrojtje dhe ndarje më të drejtë të përgjegjësive për sigurinë tonë kolektive”, tha Rutte.
Ai vuri në dukje rritjen e ndjeshme të investimeve në mbrojtje gjatë vitit 2025, me aleatët evropianë dhe Kanadanë që rritën shpenzimet bazë të mbrojtjes me më shumë se 90 miliardë dollarë. “Kjo është një shifër e jashtëzakonshme, që përfaqëson pothuajse një rritje prej 20% brenda një viti të vetëm, ndërsa rritje të tjera janë tashmë të parashikuara për vitin 2026”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm.
Sekretari i Përgjithshëm shpjegoi se, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë kontributet e tyre në Modelin e Forcave të NATO-s, Uashingtoni ka bërë të qartë se mbetet i përkushtuar ndaj Aleancës. “Shtetet e Bashkuara kanë përshtatur kontributet e premtuara, ndërsa aleatët e tjerë kanë rritur angazhimet e tyre. Kjo është e drejtë. Kjo na bën më të fortë dhe ky është thelbi i NATO 3.0 – një Evropë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë”, tha ai.
Sa i përket prodhimit të mbrojtjes, Rutte theksoi përkushtimin e NATO-s për të shfrytëzuar fuqinë e inovacionit. “Ne po punojmë ngushtë me industrinë për të siguruar që oferta të përmbushë kërkesën dhe që Aleanca të ruajë epërsinë e saj teknologjike”, tha ai.
Rutte nënvizoi se mbështetja për Ukrainën mbetet një përparësi. “Së bashku, aleatët kanë ofruar miliarda në artileri, municione dhe ndihmë, por është thelbësore që kjo mbështetje të vazhdojë për ta ndihmuar Ukrainën të ruajë avantazhin e saj”, deklaroi ai.
Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti gjithashtu marrëveshjen e arritur nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump me Iranin. “Veprimi i Shteteve të Bashkuara për të parandaluar kërcënimin e një Irani të pajisur me armë bërthamore dhe për të dobësuar kapacitetet e tij të raketave balistike përmirëson sigurinë për të gjithë ne”, tha ai. “Rikthimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit do të përbëjë një hap të madh përpara.”
Në agjendën e takimeve është edhe mbledhja e Grupit të Planifikimit Bërthamor të NATO-s me aleatët pjesëmarrës, e ndjekur nga një sesion i Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku do të diskutohen edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s në Ankara. Gjithashtu, do të zhvillohet një takim i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i bashkëkryesuar nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Gjatë samitit, një nga temat kryesore mbetet zbatimi i objektivit të ri të NATO-s për investimin deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035, i miratuar në Samitin e Hagës, ku 3.5% e PBB-së parashikohet për kapacitetet ushtarake bazë dhe 1.5% për infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe industrinë e mbrojtjes.
Fraksion.com

