AktualitetBota+Të fundit

Trump: Marrëveshja do të nënshkruhet të dielën

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit është planifikuar të nënshkruhet më 14 qershor dhe se Ngushtica strategjike e Hormuzit do të rihapet “për të gjithë” menjëherë pas kësaj, pavarësisht sinjaleve kontradiktore që vijnë nga Irani.

“Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet nesër dhe menjëherë pasi të nënshkruhet, Ngushtica e Hormuzit do të jetë E HAPUR PËR TË GJITHË”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social më 13 qershor, duke e përshkruar marrëveshjen e mundshme si “NJË MUR KUNDËR ARMËVE BËRTHAMORE” për Iranin.

Presidenti amerikan po ashtu sugjeroi se marrëveshja do t’u lejonte forcave amerikane të merrnin në zotërim materialin bërthamor të pasuruar të Iranit dhe ta shkatërronin atë, “në Iran apo në Shtetet e Bashkuara”.

Trump nuk dha detaje të tjera për marrëveshjen, e cila pritet të jetë një memorandum mirëkuptimi 60-ditor që përcakton kornizën për bisedime drejt një marrëveshjeje të plotë paqeje për t’i dhënë fund luftës që nisi kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.

Irani hedh dyshime mbi afatin e nënshkrimit

Ndërsa autoritetet iraniane ende nuk e kanë komentuar drejtpërdrejt deklaratën e Trumpit, agjencitë iraniane të lajmeve më herët hodhën dyshime mbi mundësinë që marrëveshja të nënshkruhet më 14 qershor.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane u citua të ketë thënë se nënshkrimi “nuk do të jetë nesër”.

Megjithatë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka shërbyer si ndërmjetës në bisedime, më 13 qershor tha se marrëveshja është më afër “se kurrë më parë” dhe la të kuptohet se ajo mund të finalizohet brenda 24 orëve.

Komentet e Sharifit pasuan një sërë deklaratash, postimesh dhe komentesh të një ditë më parë nga zyrtarë të lartë të të dyja palëve në konflikt, përfshirë Trumpin dhe ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, të cilët sinjalizuan përparim diplomatik.

Zyrtarë në Uashington i thanë gjithashtu Radios Evropa e Lirë se një marrëveshje po merrte formë. Megjithatë, rrjedha e këtij konflikti ka pasur edhe më parë momente optimizmi që nuk kanë sjellë rezultat.

Optimizmi i mëparshëm u zbeh pas një sërë shkeljesh të armëpushimit që kishte hyrë në fuqi më 8 prill dhe pas rikthimit të retorikës kërcënuese nga aktorët kryesorë të konfliktit.

Më 13 qershor u raportuan gjithashtu zhvillime të reja ushtarake.

Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), që monitoron sigurinë e transportit detar, njoftoi se një anije cisternë u godit nga një predhë e panjohur pranë brigjeve të Omanit gjatë natës.

“Ekuipazhi raportohet të jetë i sigurt”, tha UKMTO. “Anijet këshillohen të lundrojnë me kujdes.”

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) goditën objektiva në Liban, ku po luftojnë kundër Hezbollahut, një aleat i Iranit, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. IDF raportoi gjithashtu për sulme hyrëse, ndërsa sirenat e alarmit u dëgjuan në veri të Izraelit.

Zyrtarë të lartë iranianë kanë thënë vazhdimisht se çdo marrëveshje me Uashingtonin duhet të përfshijë edhe një armëpushim në Liban.

Qasje me faza për uljen e tensioneve

Analistët thonë se përparimi i dukshëm pasqyron një ndryshim në strategjinë negociuese të Uashingtonit, ku zyrtarët po i ndajnë shqetësimet e menjëhershme të sigurisë nga mosmarrëveshjet afatgjata.

Azeem Ibrahim, drejtor i iniciativave të posaçme në Institutin për Strategji dhe Politikë New Lines me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo renditje e çështjeve ka rritur mundësitë për një marrëveshje në një afat të afërt.

“Ajo që duket domethënëse është se administrata Trump në mënyrë efektive i ka ndarë negociatat në pista të veçanta, më të menaxhueshme, në vend se të përpiqet të zgjidhë çdo çështje njëkohësisht”, tha Ibrahim.

“Prioriteti i menjëhershëm duket se është sigurimi i rihapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosja e lirisë së lundrimit, gjë që do të lehtësonte shpejt presionin mbi tregjet globale të energjisë dhe do të zvogëlonte rrezikun e një tronditjeje më të gjerë ekonomike”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Ibrahim paralajmëroi se çështje më të vështira mbeten ende të pazgjidhura.

“Çështjet më të vështira, veçanërisht e ardhmja e programit iranian të pasurimit të uraniumit, mekanizmat e verifikimit dhe kufizimet afatgjata bërthamore, po shtyhen për një fazë të mëvonshme”, tha ai.

“Luftimet mund të jenë duke përfunduar, por negociimi i gjithë arkitekturës së një zgjidhjeje të qëndrueshme ka gjasa të zgjasë shumë më gjatë.”

Zyrtarët evropianë u kanë bërë thirrje gjithashtu të dyja palëve që të ndërtojnë mbi këtë momentum.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, pas një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, më 12 qershor, u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdojnë diplomacinë, duke e përshkruar situatën aktuale si të paqëndrueshme.

Pyetje rreth kushteve dhe verifikimit

Pavarësisht shenjave të përparimit, mbeten pengesa të rëndësishme politike dhe teknike.

Paqartësia u rrit pasi mediat shtetërore iraniane publikuan atë që thanë se ishte një draft i marrëveshjes së propozuar. Teksti përfshinte dispozita, përfshirë një kërkesë të raportuar për 300 miliardë dollarë ndihmë amerikane për rindërtim.

Presidenti Donald Trump e hodhi poshtë tekstin e rrjedhur, duke shkruar në rrjetet sociale se kushtet e publikuara “nuk kanë ASNJË lidhje me kushtet për të cilat ishte arritur marrëveshje”.

Ligjvënësit në Uashington kanë theksuar se çdo marrëveshje përfundimtare do të kërkojë masa të rrepta verifikimi.

Kongresisti republikan Ryan Zinke nga Montana u tha gazetarëve se administrata mbetet e përqendruar në tri prioritete: parandalimin e Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, kufizimin e materialit bërthamor dhe garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

“Djalli, edhe një herë, fshihet te detajet e mënyrës se si do të zbatohet kjo marrëveshje specifike”, tha Zinke. “Si do të zhvillohet verifikimi? Cili do të jetë organi verifikues?”

Senatori republikan Ron Johnson nga Wisconsin shprehu gjithashtu skepticizëm për qëllimet e Iranit, duke e cilësuar një Iran të armatosur me armë bërthamore si një kërcënim serioz.

Ndërkohë, Richard Goldberg, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, i tha Radios Evropa e Lirë më 12 qershor se Uashingtoni nuk duhet të lehtësojë presionin ekonomik ndaj Iranit gjatë bisedimeve teknike 60-ditore që pritet të pasojnë.

“Çelësi këtu është të minimizohet përfitimi për regjimin, të gjenden mënyra për të vazhduar ushtrimin e presionit gjatë bisedimeve dhe të maksimizohet mbështetja për popullin”, tha Goldberg. “Kështu do t’i arrijmë të gjitha objektivat tona dhe, në fund, do të sigurojmë një të ardhme më të mirë pa këtë regjim të lig që kërcënon botën.”

Mbeten pyetje rreth procesit të nënshkrimit

Deri në mbrëmjen e 12 qershorit, mbeteshin pyetje se si do të formalizohej marrëveshja.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se ndërmjetësuesit po shqyrtonin ende mundësinë e një ceremonie nënshkrimi fizik në Evropë në ditët në vijim.

Trump ka sugjeruar se zëvendëspresidenti JD Vance mund të marrë pjesë në një ceremoni të tillë nënshkrimi. Zyra e tij nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Por zyrtarët iranianë ofruan një version tjetër. Duke folur në televizionin shtetëror, Araqchi tha se Memorandumi fillestar i Mirëkuptimit do të nënshkruhej nga distanca duke përdorur nënshkrime digjitale.

“Sapo të përfundojnë fazat përfundimtare të negociatave tona, kjo marrëveshje do të nënshkruhet dhe do të shpallet”, tha Araqchi. “Nënshkrimi fillimisht do të bëhet në mënyrë digjitale. Secila palë do të nënshkruajë nga distanca.”

Analistët rajonalë paralajmëruan se edhe nëse arrihet një marrëveshje, qëndrueshmëria e saj mbetet e pasigurt.

Ian Ralby, drejtues i kompanisë së sigurisë detare Auxilium Worldwide, tha se shkalla e armiqësive të fundit e nënvizon brishtësinë e çdo armëpushimi.

“Është shumë e vështirë të besohet se situata ka marrë fund, veçanërisht duke pasur parasysh nivelin e armiqësive që kemi parë mes palëve këtë javë”, i tha Ralby Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar sulmeve brenda Iranit dhe në shtetet e Gjirit, përfshirë Kuvajtin, Irakun, Bahreinin dhe Jordaninë.

Megjithatë, ndërsa kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif kritikoi ashpër atë që e quajti një “fushatë të pandërprerë dezinformimi” që synon sabotimin e tekstit të marrëveshjes, bota mbetet në pritje të kthesës së radhës në rrugën diplomatike.

“Ne të gjithë mund të shpresojmë”, tha Ralby. “Sepse në këtë pikë, mendoj se të gjithë po kërkojnë të gjejnë një rreze shprese mes një situate që përndryshe është shumë e trishtë, shumë e vështirë dhe shumë e kushtueshme.”/REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com