Panik në Currila! Masiv dheu drejt pallatit, banorët largohen me urgjencë
Banorët e një pallati në zonën e Currilave në Durrës janë evakuuar, pas rrëshqitjes së një masivi të madh dheu nga Kodër Currila.
Shkak për situatën është bërë erozioni i tokës dhe reshjet e ditëve të fundit, të cilat kanë përkeqësuar gjendjen e terrenit.
Zona është rrethuar nga policia për arsye sigurie, ndërsa autoritetet po vlerësojnë rrezikun që paraqet rrëshqitja e dherave për banesat pranë.
Kodër Currila ka qenë prej vitesh një zonë problematike për shkak të erozionit. Edhe pse janë realizuar disa ndërhyrje dhe investime rehabilituese, problemi nuk ka gjetur ende një zgjidhje përfundimtare.
Banorët e prekur kërkojnë mbështetje dhe ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e tyre dhe të familjeve që jetojnë në këtë zonë.
“Ka lëviz deri në vitin 2019 që ra tërmeti. Te ky pallati këtej, që kur është ndërtuar, ka rrëshqitur dheu. Dolëm mbrëmë pa ardhur policia, qëndruam në makinë. Ku do shkonim natën?!”, tha një nga banoret në prononcim për gazetarët.
E pyetur se çfarë pret nga autoritetet, ajo u përgjigj se “banorët janë me duart lart nga Zoti”. Përgjigje që tregon pikërisht atë që kemi theksuar më lart, se problematika nuk ka marrë zgjidhje prej vitesh.
“Vit për vit këtë punë ka! Ke të bësh me malin. E ke gati nga sekondi në sekond, e rrezikshme jashtë mase!”, u shpreh një tjetër.
Më tej, një banor deklaroi se është shkëputur edhe energjia elektrike.
“Dëm i madh për zonën, pallatin dhe bizneset aty”, tha ai.
Prej rrëshqitjes, dëme të konsiderueshme ka pësuar edhe muri i një restoranti në katin e parë të pallatit.
“Urgjent se ka rënë kodra më thanë, çohem i alarmuar vij e shoh…Një zhurmë e tmerrshme! Për ne si lokal, se ne jemi me qira, vetëm materialet…Kemi pasur një dhomë frigoriferike me deri në 6 mijë euro mall, karkaleca, aragosta, i kishim për përdorim të përditshëm. Kanë marrë fund! I kam njoftuar prej 5 vitesh nga Ministria e Mjedisit te bashkia…Kur ka qenë ministër Lefter Koka, që atëherë”, tha për mediet pronari i restorantit.
“Unë them që kjo s’ka zgjidhje! Nuk ka çimento që e mban”, përfundoi me pesimizëm ai.
Fraksion.com

