AktualitetPolitikëTë fundit

“Miliarda lekë të taksapaguesve në tendera dhe projekte”, Hoti: Në QSUT, pajisja jetike për pacientët me kancer jashtë funksionit

Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, tha sot se qeveria, pas 13 vitesh në pushtet, vazhdon të prodhojë skandale, mungesa dhe dështime në sistemin shëndetësore, ndërsa përpiqet t’i mbulojë ato me propagandë.

Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, Hoti renditi katër problematika kryesore që sipas tij, dëshmojnë gjendjen kritike të shërbimit shëndetësor në vend.

Sipas deputetit demokrat, pajisja e radioterapisë në Spitalin Onkologjik të QSUT-së është jashtë funksionit, duke lënë pacientët me kancer pa akses në një nga trajtimet më të rëndësishme.

“Për vite me radhë janë shpërdoruar miliarda lekë të taksapaguesve në tendera dhe projekte, ndërsa sot e vetmja qendër onkologjike publike në Shqipëri nuk u garanton dot rrezatimin pacientëve në luftën e tyre për jetën”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me analizat laboratorike, të cilat, sipas Hotit, vijojnë të bllokohen pas datës 20 të çdo muaji. Kjo situatë, tha ai, detyron qytetarët t’u drejtohen laboratorëve privatë ose të presin muajin pasardhës për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

“Çdo ditë marr mesazhe nga qytetarë që detyrohen t’u drejtohen laboratorëve privatë, sepse skandali i analizave që bllokohen pas datës 20 të çdo muaji vazhdon ende pa asnjë zgjidhje. Koncesionari mbrohet. Kontrata e tij është e paprekshme. Ndërsa qytetari lihet të presë muajin tjetër ose detyrohet të paguajë nga xhepi në privat. Më e rënda është se ky bllokim nuk kursen as rastet urgjente. Kur një sistem vendos kufij financiarë mbi nevojat mjekësore të pacientëve, kemi të bëjmë me një dështim të rëndë politik dhe moral”, tha ai.

Deputeti i PD-së ngriti gjithashtu alarmin për gjendjen në kardiologjinë invazive të QSUT-së. Hoti u ndal edhe te situata e pacientëve me Leuçemi Mieloide Kronike.

“Sistemi jo vetëm që nuk ofron shërbimin e nevojshëm, por po i rrënon ekonomikisht familjet shqiptare. Që prej datës 15 maj, 140 pacientë me këtë sëmundje të rëndë kanë mbetur pa linjën e parë të trajtimit, sepse spitali nuk e disponon atë. Zgjidhja që u ofrohet? Të paguajnë 900 euro nga xhepi i tyre për alternativën e dytë”, tha ai.

Deputeti demokrat tha se qeveria ka neglizhuar investimet në personelin dhe shërbimet shëndetësore, ndërsa theksoi se mbi 600 mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë janë larguar nga vendi gjatë tre viteve të fundit.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com