“Kush dha urdhrin, të përgjigjet para ligjit!”, xhaxhai i Enea Mekollit: Ishin 6 policë në aksion, më vonë shkuan të tjerët
Kanë përfunduar homazhet për efektivin e policisë, “Dëshmori i Atdheut” Enea Mekolli. Pas ceremonisë së homazheve të mbajtur këtë të premte, kolegë, miq të afërm e familjarë i kanë dhënë lamtumirën mes lotësh.
Xhaxhai i Enea Mekollit, ka folur sërish për ngjarjen e rëndë që tronditi dje opinionin publik, ku efektivi i policisë u vra në krye të detyrës. Ai tha se personi që dha urdhrin për operacionin për kapjen e Violand Braçellari, duhet të përgjigjet para ligjit, pasi nuk janë marrë masa. Madje ai dha një version krejt të kundërt nga ai i kryepolicit, Skënder Hita, që tha se ishin 40 efektivë në aksion.
Xhaxhai tha se ishin vetëm 6 policë si fillim në vendin e ngjarjes.
“Nuk ka pasur asnjë lloj mbrojtje. Personi që ka urdhëruar, duhet të përgjigjet. Ai që dha urdhrin, duhet të përgjigjet. 6 veta kanë qenë në operacion, më vonë kanë vajtur të tjerët.”, tha ai.
Mëngjesin e djeshëm, gjatë një aksioni policor për kapjen e të shumëkërkuarit, Violand Braçellari, i cili fshihej në stallat e bagëtive në një zonë të pyllëzuar në periferi të fshatit Lozhan të Maliqit, ka hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të policisë.
Nga breshëria e plumbave u vra në vendngjarje efektivi Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri.

