Hita viziton efektivin e plagosur te Trauma: Kanë nisur hetimet për dinamikën e ngjarjes në Maliq
Efektivi i Forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, mbeti i vrarë sot në krye të detyrës gjatë një operacioni në malin Boden në Maliq, ndërsa i plagosur mbeti edhe kolegu i tij Edison Adri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vizitoi efektivin e plagosur i cili u soll në spitalin e Traumës me helikopter. Në një prononcim për mediet, Hita e cilësoi ngjarjen shumë të rëndë.
“Efektivi është i plagosur rëndë dhe ai po merr ndihmën e plotë mjekësore. Njëkohësisht edhe personi në kërkim që ishte, dhe ai gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Korçës. Është vërtetë një ngjarje nga ato të cilat të lë pa fjalë ku unë s’do doja sot që të isha para jush”, tha Hita.
Hita i pyetur nëse do të ketë hetime në lidhje me ngjarjen u shpreh “tashmë hetimet kanë filluar, si nga prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë, njëkohësisht edhe nga standardet profesionale, të cilat i kam autorizuar që të nisen drejt Korçës. Unë pas këtij momenti do largohem drejt Korçës dhe nga aty do keni një njoftim më zyrtar dhe më të plotë për gjithë dinamikën e ngjarjes dhe çfarë ka ndodhur”.
Mjekja e spitalit të Traumës bëri me dije se efektivi ka mbërritur i intubuar dhe është futur menjëherë në bllokun operator, ku po vlerësohet nga një ekip multidisiplinor i përbërë nga reanimator, kirurg, mjek oromaksilofacial, otojatër dhe kirurg i përgjithshëm. Sipas saj, ai ka lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës.
“Pacienti është pritur në spitalin e Korçës, është stabilizuar aty, është aktualisht i intubuar siç e patë erdhi me helikopter. Është bërë punë shumë e mirë nga kolegët e Korçës, ndërkohë që tani u fut menjëherë brenda ambienteve të bllokut operator dhe po vlerësohet nga ekipi multidisiplinor me reanimator, kirurg, oromaksilofacial, otojatër dhe kirurg të përgjithshëm. Do dimë t’ju themi më shumë për ecurinë në vijim. Për momentin mund të themi vetëm që po bëhet maksimumi për të marrë rezultatin maksimal për shëndetin e pacientit”, tha mjekja.
“Ka lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës. Unë nuk besoj që duhet të hyj më në detaje. Gjithmonë një traumë e këtyre përmasave është jetë kërcënuese. Se si do jetë ecuria do duhet të na thotë ekipi mjekësor që po bën vlerësimin. Është herët akoma për të thënë”, tha ajo.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se të gjitha parametrat janë në normë. Ai bëri me dije se është nisur me ambulancë drejt spitalit të Traumës edhe autori, i cili gjithashtu mbeti i plagosur.
“Ajo që ju tha doktoresha, dëmtimet janë të gjitha jetëkërcënuese, por gjatë ndërhyrjes që është bërë në Korçë, me një falënderim për ekipin e Korçës dhe gjatë transportit pacienti ka qenë stabël me parametrat normale, në këtë moment nuk flitet për rrezik jete, por që është në dinamikë vlerësimi për efektivin e policisë në këtë rast”, u shpreh Brataj.
“Të gjithë parametrat janë në normë, nuk ka hemorragji në korso dhe është stabël në këtë moment sapo u fut në sallë ku ekipi multidisiplinor po bën vlerësimin qoftë të indeve të gojës dhe të qafës në të cilat është dëmtuar punonjësi i policisë. Autori është vlerësuar në spitalin e Korçës nga ekipi kirurgjikal, është stabilizuar dhe është nisur me ambulancë drejt, është rrugës duke ardhur në spital”, tha ai.
Fraksion.com

