Zvërneci, SPAK sekuestron llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development” të Redi Strugës
SPAK ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit. Prokuroria e Posaçme po verifikon një skemë të dyshuar për tjetërsimin dhe përvetësimin e pronave në këtë zonë bregdetare.
Një nga administratorët e kompanisë, Redi Struga, i është nënshtruar kontrollit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas të dhënave paraprake, Struga ka shërbyer si ndërmjetës mes kompanisë dhe vëllezërve investitorë nga Katari, të përfshirë në projektet e zhvillimit në zonë.
Në qendër të hetimit ndodhet Artur Shehu, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas dyshimeve të SPAK-ut, Shehu mund të ketë luajtur një rol kyç në drejtimin e skemës së pretenduar të tjetërsimit të pronave në Zvërnec.

