Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të dielë, më 31 maj, lidhur me incidentin që ndodhi një ditë më parë në Zvërnec, ku punonjësi i një shoqërie private të sigurisë së kantierit ku po protestohej, goditi me grusht njërin prej protestuesve.
Kryeministri falenderon Policinë për reagimin e shpejtë, ndërsa shton se nesër paradite do të dalë të flasë vetë lidhur me atë që e quan “projekt të jashtëzakonshëm” për Shqipërinë, kundra të cilit sipas tij janë thënë shumë të pavërteta.
“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës.
Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura.
*Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht.”, shkruan kreu i qeverisë.
Ky reagim i kryeministrit Rama vjen pas një sërë reagimesh të shumta që kanë vluar në rrjet ditët e fundit, sa i takon protestës që po zhvillohet në Zvërnec, ku qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës. Kjo pasi janë të shqetësuar se mund të ketë pasoja të mundshme mjedisore.
Incidenti i djeshëm me protestuesin që u dhunua nga rojet private të kantierit bëri xhiron e rrjetit, duke shtuar më shumë reagimet. Këtë të dielë, Policia ka njoftuar se ka arrestuar punonjësin që goditi me grusht njërin prej protestuesve. Po ashtu janë proceduar penalisht edhe dy punonjësit e tjerë, që ndihmuan të tërhiqnin zvarrë protestuesin.
Ky incident solli pezullimim nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Ndërsa ka nisur gjithashtu edhe hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme
Fraksion.com