AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Hapet fushata për zgjedhjet e 3-ta brenda 15 muajve

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit në Kosovë, garojnë 22 parti dhe tre koalicione. Mbi 2 milionë votues janë regjistruar ndërkohë nga KQZ.

Në Kosovë zyrtarisht filloi të enjten (28.05.) fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.Fushata sipas KQZ-së, zgjat 10 ditë, ndonëse partitë politike që nga shpallja e zgjedhjeve kanë zhvilluar një fushatë të pashpallur me tubime politike gjithandej vendit, përfshirë edhe takime me diasporën kosovare. KQZ tashmë ka bërë të ditur se në garë zgjedhore janë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Partia fituese e zgjedhjeve të fundit, Vetëvendosja, garon në koalicion me tri parti të vogla, me Guxo, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Partitë e tjera kryesore shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), garojnë të vetme në zgjedhje.

E vetme në zgjedhje garon edhe Lista Srpska, që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Pjesë e garës është edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i prin listës për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte para mandatit presidencial edhe vetë Osmani.

Sipas listës së votuesve tashmë të miratuar nga KQZ, të drejtë vote kanë rreth dy milionë qytetarë, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës. Në zgjedhjet e fundit të 28.12.2025, rreth 900 mijë qytetarë morën pjesë në zgjedhje apo rreth 45% e trupës elektorale. Edhe kësaj here, ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara, pos mijëra vëzhguesve vendorë, zgjedhjet pritet të monitorohen edhe nga vëzhgues nga struktura të BE-së.

Prani e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e parakohshme

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tashmë i ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, përmes së cilës ka ftuar BE-në të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 7 qershor 2026.

“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”, thotë në letrën e saj Haxhiu. Më tej thuhet se, “Republika e Kosovës e ka vlerësuar vazhdimisht rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e institucioneve demokratike dhe në avancimin e standardeve zgjedhore”, prandaj ftesa për dërgimin e Misionit Vëzhgues “është vazhdim i kësaj praktike institucionale dhe shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm”.

Zgjedhjet si pasojë e krizave të njëpasnjëshme

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë janë të tretat me radhë vetëm brenda 15 muajve të fundit dhe mbahen pas krizave të njëpasnjëshme politike dhemungesës së konsensusit ndërmjet partive për emrin e presidentes/it, që sipas Kushtetutës duhet të marrë mbështetjen e të paktën 2/3 të votave nga 120 deputetë sa i ka parlamenti i Kosovës.

Analistët politikë, mbajtjen kaq shpesh të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë e vlerësojnë të dëmshme për vendin sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, ndërsa fajin ua hedhin partive politike të cilat sipas tyre kanë dështuar të ndërtojnë klimë konsensusi për vendime nacionale. Disa nga ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, vazhdimisht kritikojnë klasën politike kosovare për krizat e njëpasnjëshme politike, duke thënë se po humbet kohë të vlefshme për shkak të një raundi tjetër zgjedhjesh parlamentare. Megjithatë, Ushtruesja e Detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, thotë se “Kosova duhet të mbetet një demokraci funksionale dhe zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”. Sipas saj, pas zgjedhjeve “BE-ja pret edhe formimin e shpejtë të institucioneve dhe një qeveri stabile me shumicë të fortë parlamentare, e aftë të gjenerojë kompromise të fuqishme ndërpartiake, të zgjedhë një president dhe të avancojë me agjendën e reformave”./’DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com