AktualitetRajoniTë fundit

Fabrika kineze e gomave Linglong merr leje në Serbi, pavarësisht kimikateve të rrezikshme

Fabrika kineze Linglong në Zrenjanin – pjesa veriore e Serbisë – mori leje përdorimi për disa pjesë të saj, si: mikserë, depo të lëndëve të para, squfurit dhe karbonit të zi, pa i siguruar miratimet paraprake që garantojnë sigurinë nga aksidentet e mëdha kimike, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Administrata e Krahinës së Vojvodinës miratoi përdorimin e disa prej pjesëve më të rrezikshme mjedisore të fabrikës së gomave, ndërsa qyteti i Zrenjaninit i refuzoi kërkesat për dhënien e lejeve.

Në vendimet e saj, administrata e qytetit theksoi se fabrika është klasifikuar si “Seveso”, që do të thotë se trajton sasi të mëdha kimikatesh të rrezikshme dhe se duhet të ketë plane të posaçme sigurie, të miratuara nga Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit.

Këto miratime janë të detyrueshme për të parandaluar dhe menaxhuar aksidentet e mundshme kimike.

Sipas të dhënave të Ministrisë serbe të Mbrojtjes së Mjedisit, Linglong ka raportuar se ruan kimikate që nga lloji dhe sasia mund të shkaktojnë aksidente kimike me rrezik të lartë në dhjetor të vitit 2025 – dy vjet e gjysmë pas fillimit të prodhimit në Zrenjanin.

Atëkohë, kompania ka dorëzuar Raportin e Sigurisë dhe Planin për Mbrojtje nga aksidentet e mëdha, të cilët duhet të miratohen nga ministria.

“Derisa ky miratim nuk është i vlefshëm, fabrika nuk duhet të punojë. Nëse një pjesë e kompleksit funksionon pa u përmbushur kushtet për të gjithë objektin, kjo përbën shkelje të ‘ligjit Seveso’ dhe ndikon drejtpërdrejt në siguri dhe në lejueshmërinë e përdorimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë konsulenti i pavarur mjedisor, Dushan Bllagojeviq.

Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se në cilën fazë ndodhet procesi i dhënies së lejes “Seveso” për kompaninë Linglong, ndërsa Sekretariati Krahinor për Ndërtim nuk e arsyetoi vendimin me të cilin ka miratuar përdorimin e disa pjesëve të fabrikës pa këto leje.

As kompania Linglong nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Qyteti i Zrenjaninit i refuzoi kërkesat

Sipas të dhënave nga baza e lejeve ndërtimore, administrata e qytetit të Zrenjaninit i ka refuzuar të gjitha kërkesat e kompanisë Linglong për leje përdorimi, të cilat kompania i ka dorëzuar nga dhjetori 2025 e deri më sot.

Në vendimet për refuzim thuhet se Linglong, si objekt “Seveso”, është ende në pritje të miratimit nga ministria përkatëse.

Për shkak të këtij statusi të paqartë, kompanisë i janë refuzuar lejet e përdorimit për disa pjesë të fabrikës, përfshirë depot e produkteve të gatshme për goma bujqësore, depot e kallëpeve për goma kamionësh, si dhe për gjashtë puseta uji.

Vojvodina dha leje për punë

Vetëm një ditë pasi qyteti i Zrenjaninit refuzoi kërkesën e parë të Linglongut, për shkak të dokumentacionit të paplotë “Seveso”, administrata e Krahinës së Vojvodinës i dha kompanisë leje përdorimi për disa nga pjesët më të rrezikshme mjedisore të fabrikës, si mikserët, depot e lëndëve të para, si dhe depot e squfurit dhe karbonit të zi.

Në vendimin që pa Radio Evropa e Lirë dhe me të cilin Sekretariati Krahinor, më 30 dhjetor 2025, lejoi përdorimin e këtyre objekteve, nuk përmendet që Linglong është klasifikuar si objekt “Seveso” i nivelit të lartë dhe se është ende në pritje të miratimeve të domosdoshme nga Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit.

Sipas Ligjit të ndërtimit në Serbi, administrata krahinore është përgjegjëse për dhënien e lejeve të përdorimit për objektet më komplekse, ndërsa për objektet më të vogla dhe ndihmëse, lejet i lëshon qyteti, përkatësisht vetëqeverisja lokale.

“Bëhet fjalë për një zonë të madhe industriale me disa njësi teknologjike të ndërlidhura: përgatitja e lëndëve të para, përzierja e komponentëve, vullkanizimi/shtypja e gomave, depot e lëndëve të para, si dhe objektet energjetike… Të gjitha këto janë nën të njëjtin operator dhe në të njëjtin lokacion, prandaj detyrimet duhet të përcaktohen dhe zbatohen në nivel të të gjithë kompleksit, jo për çdo pjesë veç e veç”, shpjegon Bllagojeviq, konsulent për vlerësimin e rrezikut nga katastrofat teknike-teknologjike.

Ai shton se asnjë pjesë e kompleksit nuk duhet të kalojë kontrollin teknik pa miratim sipas rregullave “Seveso”.

Nga Sekretariati Krahinor për Ndërtim nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si Linglong ka arritur të marrë leje përdorimi për disa pjesë të fabrikës pa i përmbushur kushtet “Seveso”, përkatësisht pa vendim të vlefshëm për miratimin e Raportit të Sigurisë dhe Planit të Mbrojtjes nga aksidentet.

Pavarësisht urdhrit të Komisionarit për Qasje të Lirë në Informacion me Rëndësi Publike, ky sekretariat refuzoi t’u jepte gazetarëve të Radios Evropa e Lirë një kopje të Raportit mbi inspektimin teknik të objekteve, duke deklaruar se ai përmban informacione konfidenciale në lidhje me teknologjinë e përdorur nga kompania Linglong.

“Sipas vlerësimit, interesi për ruajtjen e sekretit afarist mbizotëron ndaj të drejtës për qasje në informacione me rëndësi publike”, thuhet në përgjigjen e Sekretariatit Krahinor.

Çka janë objektet “Seveso”?

Seveso është një qytet i vogël në Itali, ku në vitin 1976 ndodhi një aksident kimik, që shkaktoi ekspozimin më të madh ndonjëherë të popullsisë lokale ndaj substancave të rrezikshme.

Ky aksident çoi në miratimin e rregullave të posaçme të sigurisë në Bashkimin Evropian për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme, të njohura si “Direktivat Seveso”.

Sot, objekte “Seveso” konsiderohen fabrikat dhe impiantet industriale që ruajnë ose përdorin sasi të mëdha të substancave të rrezikshme, mbi kufijtë e lejuar me ligj.

Në Serbi, në regjistrin shtetëror ka më shumë se 100 të tilla, ndërsa si objekte “Seveso” me rrezik më të lartë, përfshirë edhe Linglongun, janë të listuara 49 kompani, mes tyre termocentrale dhe depo të naftës e gazit.

Linglong deklaroi fillimisht se nuk do të jetë “Seveso”

Linglong është regjistruar në regjistrin e objekteve “Seveso” në Serbi në dhjetor të vitit 2025.

Në raportin e sigurisë që kompania i dorëzoi atëkohë Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, thuhet se fabrika përdor disa kimikate në procese prodhimi, në sasi që kërkojnë masa të posaçme sigurie dhe plane veprimi në rast aksidentesh.

Këto të dhëna nuk përputhen me dy studime të veçanta të ndikimit në mjedis, ku Linglong kishte pretenduar se kimikatet e rrezikshme do të ruheshin në sasi minimale dhe se fabrika e gomave në Zrenjanin nuk do të klasifikohej si objekt “Seveso”.

“Duke parë nga kjo perspektivë, duket se Linglong ka dorëzuar dokumentacion të paplotë, mbi bazën e të cilit, në vitin 2020, ka marrë miratime për studimet e ndikimit në mjedis. Në ato studime duhej të ekzistonte analiza e pasojave të aksidenteve dhe plani i mbrojtjes nga aksidentet”, vlerëson Bllagojeviq.

Raportet për ndotjen

Fabrika kineze e gomave Linglong, që nga fillimi i ndërtimit, është shoqëruar me paralajmërime nga aktivistët dhe një pjesë e opinionit publik në Serbi për rrezikun e ndotjes së mjedisit.

Raportet për ndikimin e aktivitetit të Linglongut në mjedis, deri më tani, nuk janë bërë publike, ndërsa Radio Evropa e Lirë ka arritur te disa të dhëna përmes Ligjit për qasje të lirë në informacione me rëndësi publike.

Sipas raporteve të matjes së emetimeve të ndotësve në ajër që Linglong ia dorëzon pushtetit lokal, dhe të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, sasia e emetimeve gjatë dy vjetëve të fundit nuk i ka tejkaluar vlerat e lejuara me ligj.

Megjithatë, këto janë matje të kryera nga vetë kompania, ndërsa qyteti nuk ka stacion automatik matës për monitorimin e rregullt të ndotjes së ajrit pranë fabrikës.

Instituti i Shëndetit Publik në Zrenjanin konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nuk kryen matje të emetimeve në atë lokacion, pasi, sipas studimeve të ndikimit në mjedis, këtë obligim e ka kompania Linglong.

Ndikimi i kompanisë Linglong në ndotjen e ujit kontrollohet nga Ndërmarrja Publike “Vode Vojvodine”.

Sipas të dhënave nga raportet që kjo ndërmarrje ia ka ofruar Radios Evropa e Lirë, që nga fillimi i funksionimit të fabrikës, parametrat e matur nuk i kanë tejkaluar vlerat kufi.

Subvencionet shtetërore dhe humbjet

Fabrika e gomave e kompanisë kineze, Shandong Linglong Tire, në Zrenjanin është pjesë e nismës “Brezi dhe Rruga”, me të cilën Kina synon të rrisë investimet dhe ndikimin e saj përmes projekteve infrastrukturore në vende të ndryshme të botës.

Ndërtimi i fabrikës është dakorduar që në vitin 2018, me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe kompanisë kineze Linglong.

Një vit më vonë, Qeveria e Serbisë e shpalli fabrikën Linglong projekt me rëndësi kombëtare.

Fabrika është ndërtuar në një sipërfaqe prej 100 hektarësh tokë shtetërore të dhënë nga shteti, së bashku me 76 milionë euro ndihmë financiare të pakthyeshme.

Prodhimi i planifikuar është 13 milionë goma në vit, ose rreth 40 mijë goma në ditë.

Raporti i fundit financiar tregon se Linglong në Zrenjanin, gjatë vitit 2025, ka shitur goma në vlerë deri në 324 milionë euro, por e ka mbyllur vitin me një humbje prej 32 milionë eurosh./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com