Rama: Zgjidhja e çështjes së pronës sfidë komplekse, teknologjia bekim për procesin
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa nga sfidat me të cilat përballet vendi për zgjidhjen e çështjes së pronave, që përbën po ashtu një çështje me rëndësi në procesin e avancimit të vendit drejt Bashkimit Europian.
Rama iu adresua sot me një fjalë konferencës rajonale me temë: “Nga Prona te Progresi”, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur mbi transformimin digjital, Rama u shpreh se “për vende si i yni, teknologjia e re na ka sjellë bekim të vërtetë, se na ka lejuar të bëjmë hapa të pamundur dhe ta shohim të ardhmen me një frymë tjetër”.
Lidhur me problematikën e pronave në Shqipëri, kryeministri theksoi se “Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në rajon ku të drejtat e pronës kanë qenë nën një trysni kaq të madhe, për shkak të kalimit nga një sistem me pronë totalisht shtetërore në një realitet ku shteti humbi kontrollin mbi territorin pas rënies së komunizmit”.
“Për sa i përket çështjes së komplikuar dhe komplekse të pronave në Shqipëri, nuk ka vend tjetër në këtë rajon ku të drejtat e pronës kanë qenë kaq nën trysni. Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të trajtojmë një material kaq kompleks, saqë është realisht një nga vështirësitë më të thella me të cilat jemi përballur”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se ajo që ndodhi me arkivin e pronave në vitin 1990 ishte katastrofë e vërtetë.
“Trashëguam një shtresë tjetër pronësie që ishte shtresa e titujve të falsifikuar. Të zbërthesh këtë është sfidë e vërtetë që ka të bëjë me kompromise shumë të vështira dhe të dhimbshme”, tha Rama.
Rama shprehu bindjen se nuk ka një vend tjetër në rajon ku mund të gjesh vendime gjykatash që i japin ankimuesit më shumë se sa kërkon.
Fraksion.com

