“Start-upi i Ramës çibani i ri i korrupsionit”, Berisha: Qeveria merr dhjetëfishin e kohës televizive
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se mediet kombëtare po censurojnë opozitën, teksa deklaroi se katër televizione kombëtare në vend i japin qeverisë shumëfish më tepër hapësirë informative sesa opozitës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se opozita ka kryer një monitorim të katër televizioneve kombëtare për të rrëzuar “shpifjet” sipas tij të qeverisë, se 60 për qind e kohës televizive në Shqipëri i kushtohet opozitës.
Sipas Berishës, monitorimi është bërë në edicionet informative të televizioneve kombëtare dhe rezultatet, sipas tij, tregojnë një disproporcion të madh në favor të qeverisë.
“Censura e opozitës është një nga aktet më të shëmtuara të narko-mafies qeveritare. Edi Rama, para 10 ditësh, u tha shqiptarëve në një aktivitet me prani ndërkombëtare se start-upi i tij, apo çibani i ri i korrupsionit të tij, e kishte informuar se 60 përqind të kohës, media në Shqipëri i kushtonte opozitës. Një gënjeshtër, një mashtrim, një trillim për një çështje themelore të një shoqërisë siç është hapësira informative”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi situatën si tregues të një “diktature autoritare” dhe akuzoi mediat për shkelje të parimit të barazisë në trajtimin e forcave politike në hapësirën informative.
“Qeveria merr dhjetëfishin e kohës televizive në krahasim me opozitën. Në qoftë se hyni dhe monitoroni, rezultati është tipik i një diktature autoritare. Ndërkohë, ligjet e medieve, që kanë në themel parimin par condicio, kërkojnë të njëjtën kohë për të dy palët në media. Por ky parim zbatohet në vende demokratike. Zbatohet në vende me pluralizëm politik. Nuk zbatohet kurrë në diktatura autoritare dhe aq më pak në narkodiktatura”, tha Berisha.
Fraksion.com

