Ministri Gogu: Nuk futemi dot në BE pa 3 prioritetet strategjike të Drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka dalë në një konferencë për mediat këtë të martë, më 19 maj, ku ka bërë me dije tri prioritetet strategjike të dikasterit që ai drejton.
“Kemi vendosur sëbashku me ekipin drejtues të ministrisë 3 prioritete strategjike. I pari është fuqizimi i garancive procedurave dhe të drejtave të njeriut në procesin e drejtësisë, i dyti eficenca e sistemit gjyqësor që duhet të rritet në mënyrë domethënëse, por dhe aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.”, tha ministri Gogu gjatë komunikimit të parë me mediat, 11 javë pas marrjes së detyrës.
“Pa to nuk mund të futemi në BE”, shtoi ai.
Sa i përket backlog-ut gjyqësor, ministri theksoi se për herë të parë sistemi ndodhet në trajektore ulëse, ndërsa Gjykata e Lartë ka ulur stokun e çështjeve me 60% krahasuar me vitin 2020.
Në konferencë u prezantuan gjithashtu disa ndër prioritetet ligjore të Ministrisë së Drejtësisë: rishikimi i Kodit të Procedurës Penal, modernizimi i Kodit Penal, zgjerimi i skemës së Ndihmës Juridike Falas, si dhe digjitalizimi i shërbimeve të noterisë dhe përmbarimit
Fraksion.com

