Me rolin e ri të Qalibafit, Irani sinjalizon se e ka prioritet raportin me Kinën
Irani e ka emëruar kryetarin e Parlamentit – që ka ndikim të madh – Mohammad Baqer Qalibaf, si përfaqësues të posaçëm për çështje të Kinës, një lëvizje që analistët thonë se bart një mesazh që shkon përtej lidhjeve dypalëshe, dhe mund të ketë të bëjë më shumë me Uashingtonin sesa me Pekinin.
Për këtë vendim nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga Qeveria. Emërimi fillimisht u raportua nga agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars – të dyja të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) – që cituan burime që kanë njohuri me çështjen. Këto dy media thanë se Qalibaf, ish-komandant i IRGC-së, u emërua me propozimin e presidentit Masud Pezeshkian dhe me miratimin e liderit suprem, Mojtaba Khamenei.
Personat që mbanin më herët këtë post operonin nën mandate të ndara: Ali Larijani, që u vra gjatë sulmeve ajrore izraelite në mars, kishte shërbyer si përfaqësuesi i liderit suprem për çështje të Kinës, teksa Abdolreza Rahmani Fazli shërbeu si përfaqësuesi i presidentit. Emërimi i Qalibafit në mënyrë efektive bashkon këto dy poste në një post më të fuqishëm.
Sipas agjencisë Tasnim, Qalibafi është “përfaqësuesi i posaçëm i Iranit” e jo i presidentit apo liderit suprem.
Amir Chahaki, analist politik iranian me bazë në Gjermani, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se emërimi duhet të lexohet fillimisht nga aspekti i negociatave të ngecura SHBA-Iran.
“Sipas mendimit tim, kjo e forcon pozicionin e Qalibafit në negociata me Amerikën”, tha Chahaki, duke shtuar se qëllimi duket se është që t’i jepet kryetarit të Parlamentit një “rol më i madh në çdo negociatë të mundshme me SHBA-në”.
Ai po ashtu vuri në pah rëndësinë në rritje të Kinës për Teheranin si një mbështetje diplomatike, duke thënë se Pekini “tashmë e ka tejkaluar edhe Rusinë” si ndërmjetës kyç strategjik për Iranin.
Për analistët e afërt me establishmentin iranian, emërimi është një sinjal i qëllimshëm strategjik.
Mostafa Najafi, analist me bazë në Teheran pikëpamjet e të cilit pasqyrojnë mendimet e establishmentit, vuri në dukje një histori të performancës së dobët sa i përket çështjes së Kinës.
“Gjatë viteve të fundit, shumë individë e institucione u ngarkuan me avancimin e raporteve Iran-Kinë në aspektin strategjik”, shkroi ai në X. “Megjithatë, secili nga përfaqësuesit e kaluar dështoi që ta sillte këtë çështje në një përfundim të kënaqshëm”.
Ai argumentoi se përvoja ekzekutive e Qalibafit dhe njohja e tij me projektet e mëdha infrastrukturore dhe ekonomike e bëjnë atë më të përshtatshëm për angazhim me Kinën, duke vënë në dukje se Kina “zakonisht punon më rehat” me njerëz që kanë “kapacitetin për të zbatuar projekte dhe për të marrë vendime operacionale”.
Më 2021, Irani nënshkroi një marrëveshje gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit me Kinën, por zbatimi i saj është ndalur, dhe vetëm pak investime të premtuara në marrëveshje janë materializuar.
Ky emërim vjen në një kohë kur Irani navigon përmes një armëpushimi të brishtë me SHBA-në pas 40 ditësh luftime, me bisedimet e ngecura të paqes dhe me Pakistanin që vazhdon të luajë rolin e ndërmjetësit.
Qalibaf udhëhoqi delegacionin iranian në rundin e vetëm të bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin, të mbajtura në Islamabad në prill. Ngritja e tij në drejtimin e çështjes së Kinës sugjeron se Teherani po konsolidon operatorin e tij më të besuar, njëkohësisht si në partneritetet lindore, ashtu edhe në konfrontimin me Perëndimin./REL
Fraksion.com

