Zjarri te fruta-perimet në Lushnje, Korreshi: I vetmi burim për të mbajtur familjet, të dëmshpërblehen dhe të rikthehet sa më shpejt tregu
Deputeti, Saimir Korreshi ka reaguar pas zjarrit që përfshiu tregun e fruta-perimeve në Lushnje, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shkaqeve që çuan në përhapjen e flakëve.
Korreshi u bëri thirrje autoriteteve të marrin masa për dëmshpërblimin e tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në treg dhe paguajnë taksa rregullisht.
Ai kërkoi gjithashtu rikthimin e strukturës në gjendjen e mëparshme dhe një rikonceptim të saj, duke theksuar se ambienti ka pasur probleme që prej inaugurimit. Sipas tij, tregtarët janë ankuar vazhdimisht për temperaturat e larta gjatë verës, si edhe për depërtimin e shiut dhe të ftohtit në dimër.
“I bëjmë thirrje autoriteteve të zbulojnë shkaqet e zjarrit, dëmshpërblimin e tregtarëve qe e paguajnë taksat për ushtrimin e aktivitetit. Rikthimin e strukturës në gjendjen e mëparshme një rikonceptim tjetër pasi aty është efekt sere gjatë verës dhe shi e ftohtë që hyn gjatë dimrit, për të cilën, tregtarët, janë ankuar që në inaugurimin e tij”, ka thënë ai.
Fraksion.com

