Balla: Po marrim ekspertizë zvicerane për ligjin për referendumet
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Zvicër me kancelarin e kantonit të Bernës, Christoph Auer.
Balla informoi se në qendër të takimit ishte marrja e ekspertizës zvicerane për ligjin “Për referendumet”, i cili është propozuar disa javë më parë.
Balla theksoi se Zvicra është vendi model në botë për përdorimin e referendumeve për çështje kushtetuese, të përgjithshme dhe vendore.
“Referendumi është një instrument i demokracisë së drejtpërdrejtë i parashikuar nga Kushtetuta, por parashikimet kushtetuese duhen zgjeruar dhe qartësuar në ligjin për Referendumet, projektin e të cilit e kemi propozuar javë më parë”, shtoi ai.
Balla informoi se bashkë me deputetë, drejtues të KQZ-së dhe përfaqësues të OSBE-së po zhvillohen takime për të marrë eksperiencën ligjore zvicerane në këtë drejtim.
Fraksion.com

