Bordi ul me 3 lekë çmimin e naftës, do të shitet me 198 lekë/litër

Bordi i Transparencës vendosi sot çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 15 maj 2026, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 198 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë për benzinën do të jetë jo më shumë se 185 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 173 lekë për litër.
Bordi bëri të ditur se çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 15 maj, në orën 13:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të reflektohen ndryshimet e reja në treg.
Autoritetet u kanë tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, duke paralajmëruar masa deri në pezullim aktiviteti në rast shkeljesh.
Në një sqarim shtesë, Bordi theksoi se bazuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, niveli i akcizës reduktohet në 80% vetëm kur çmimi i gazoilit kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër. Meqenëse çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë 100%.
Fraksion.com
