Sekretari Britanik i Shëndetësisë Streeting jep dorëheqjen

Është një goditje ndaj kryeministrit Britanik: Sekretari i Shëndetësisë Wes Streeting ka dhënë dorëheqjen. Kjo shton presionin kundër Keir Starmerit. Wes Streeting mund të kandidojë për udhëheqjen e Partisë Laburiste.
Sekretari Britanik i Shëndetësisë Wes Streeting, i konsideruar si pasardhës i mundshëm i Kryeministrit të sfiduar Keir Starmer, ka njoftuar dorëheqjen. Duke u larguar nga qeveria, Streeting nuk i nënshtrohet më disiplinës së kabinetit. Në një letër të cituar nga BBC, Streeting e kritikon kryeministrin për mungesë lidershipi.
Streeting e njoftoi dorëheqjen në një deklaratë me shkrim të botuar në platformën X. Në të, ai deklaron se ka humbur besimin në udhëheqjen e Starmer-it. Ndërsa vendi ka nevojë për drejtim, ai po endet pa objektiv, sipas Streeting. Do të ishte “e pandershme dhe në kundërshtim me parimet e tij” të qëndronte në detyrë. Për më tepër, është e qartë se Starmeri “nuk do ta udhëheqë Partinë Laburiste në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”.
Streeting e kritikon kryeministrin
Deputetët dhe sindikatat e Partisë Laburiste duan që “debati mbi të ardhmen të jetë një betejë idesh, jo një betejë personalitetesh apo grindjesh të vogla fraksionare”.
Vëzhguesit besojnë se Streeting-u, 43 vjeç, po e pozicionon veten si kandidat për udhëheqjen e Partisë Laburiste. Në Mbretërinë e Bashkuar, udhëheqësi i partisë së shumicës në Dhomën e Komunave zakonisht shërben edhe si kryeministër.

Kryeministri Starmer ka qenë nën presion për muaj të tërë në lidhje me politikën e brendshme. Ai emëroi ish-ambasadorin britanik në SHBA , Peter Mandelson, në këtë post, pavarësisht dyshimit për kontakte të Mandelsonit me kriminelin seksual amerikan Epstein. Starmeri mohon çdo dijeni për këto lidhje.
Starmeri do të qëndrojë në pushtet
Starmeri kohët e fundit ka qenë luftarak, ka refuzuar vazhdimisht thirrjet për dorëheqje dhe është përpjekur të largojë dyshimet në lidhje me aftësitë e tij udhëheqëse. Për këtë qëllim, ai ka riafirmuar planet e tij për të forcuar ekonominë, sigurinë energjetike dhe aftësitë mbrojtëse. Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat e një revolte brenda partisë për stabilitetin politik dhe ekonominë. Për muaj të tërë, ai po lufton për mbijetesë politike. Kjo kur zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 ai arriti t’i fitojë me një nga shumicat më të mëdha në historinë moderne britanike.
Javën e kaluar, Partia Laburiste pësoi humbje masive në zgjedhjet lokale dhe rajonale ndaj populistëve të krahut të djathtë të Reform UK, të udhëhequr nga Nigel Farage, një nga pionierët e Brexit-it. Si rezultat, shumë deputetë i kanë bërë thirrje Starmerit të japë dorëheqjen, por kryeministri po mbahet fort në post./DW
Fraksion.com
