AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Marrëveshja me Italinë për refugjatët do të mbetet në fuqi për sa kohë do Italia

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pas debatit të krijuar mbi marrëveshjen Shqipëri–Itali për menaxhimin e refugjatëve, duke theksuar se protokolli mes dy vendeve mbetet i pandryshuar dhe do të vazhdojë për aq kohë sa pala italiane e kërkon.

Reagimi i Ramës erdhi pas interesit të mediave italiane dhe ndërkombëtare, pas raportimeve që cituan në mënyrë të pasaktë një deklaratë të ministrit të Jashtëm shqiptar.

Në një intervistë për Euractiv, ministri Ferit Hoxha tha se protokolli është për një periudhë fillestare pesëvjeçare dhe se nuk është e sigurt nëse do të ketë zgjatje, duke shtuar se nëse Shqipëria bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, situata do të ndryshojë pasi marrëveshja nuk do të ketë më karakter ekstraterritorial. Kjo deklaratë u përhap gjerësisht nëpër media, ndërsa më vonë, në një reagim në X, ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një vendim, por për një përgjigje spontane në një intervistë, e cila është nxjerrë jashtë kontekstit. Hoxha shtoi se deklarata e tij nuk ndryshon qëndrimin zyrtar të Shqipërisë për protokollin me Italinë dhe se interpretimet e bëra në media nuk pasqyrojnë thelbin e diskutimit.
Ndërkohë Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka falënderuar kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, pas reagimit të këtij të fundit mbi marrëveshjen për emigrantët.
Në një postim në rrjetet sociale, Meloni ka ndarë shkrimin e Ramës, ndërsa shkruan “Faleminderit Edi”
Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com