AktualitetTë fundit

Konfiskohet për interes publik një objekt banimi dhe shërbimi në Tiranë

Konfiskohet objekti 12-katësh në Tiranë, 3 katet e fundit ishin ngritur në  shkelje të lejes së ndërtimit - Shqiptarja.com

Një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, në njësinë administrative nr. 4 në Tiranë, është konfiskuar për interes publik, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi për ndërtimet.

Policia e Shtetit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkia Tiranë zhvilluan një aksion në bashkëpunim me Drejtorinë e Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, në kuadër të masave për mbrojtjen e interesit publik dhe zbatimin e ligjit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se në objektin 9-katësh ishin ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit kati i 10-të dhe i 11-të, si edhe një pjesë e katit të 12-të. Gjithashtu, u konstatua se godina ishte vënë në shfrytëzim pa certifikatë përdorimi.

Sipas autoriteteve, referuar Aktit Normativ nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi i lejes së ndërtimit rezultoi mbi pragun ligjor prej 10%, çka parashikon masën e konfiskimit për interes publik.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa strukturat e hetimit të krimeve ekonomiko-financiare dhe Komisariati i Policisë nr. 4 në Tiranë kishin referuar edhe më herët materiale procedurale lidhur me shkeljet e konstatuara në këtë objekt.

Policia e Shtetit thekson se mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com