Balliu: Hita po provokon dhunë ndaj opozitës dhe protestuesve
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, akuzoi sot drejtuesin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, se po tenton të pengojë opozitën dhe të provokojë tensione përpara protestës së paralajmëruar nga PD në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se e drejta për protestë dhe tubim është e garantuar me ligj dhe Kushtetutë, duke theksuar se opozita ka detyrimin ligjor vetëm për njoftimin e protestës, ndërsa Policia e Shtetit ka detyrimin për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Sipas tij, deklaratat e kreut të Policisë së Shtetit për kufizimin e protestës vetëm në Bulevard përbëjnë provokim dhe qëndrim antiligjor.
“Partia Demokratike i thotë kryepolicit se nuk duhet leje dhe as miratim për protestë. Ne kemi detyrimin ligjor të njoftimit, ndërsa policia ka detyrimin për garantimin e kësaj të drejte dhe të sigurisë së qytetarëve”, u shpreh Balliu.
Deputeti demokrat akuzoi drejtuesit e policisë se po synojnë të krijojnë tensione për të justifikuar, sipas tij, ndërhyrjen policore gjatë protestës.
Balliu kërkoi gjithashtu nga Policia e Shtetit që të shmangë çdo provokim gjatë zhvillimit të protestës.
Ai deklaroi se opozita do të zhvillojë protestën në të gjithë perimetrin e përcaktuar dhe u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen tubimit të paralajmëruar në orën 19:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Fraksion.com

