Balla: Rezoluta e Komisionit të Jashtëm të PE pasqyron progresin e vendit drejt BE
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti sot miratimin e rezolutës për Shqipërinë nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian, e cila u votua me 58 vota pro dhe 7 kundër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi këtë zhvillim si një vlerësim të rëndësishëm për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.
Ai theksoi se mbështetja e eurodeputetëve konfirmon përkushtimin e vendit për të çuar përpara reformat dhe për të përmbushur detyrimet e procesit të integrimit.
Sipas Ballës, rezoluta pasqyron qartë arritjet e Shqipërisë dhe mbështet ambicien për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për kryetarin e komisionit, David McAllister, si dhe për raporterin për Shqipërinë, Andreas Schieder, për punën e tyre në hartimin e dokumentit.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Andrey Kovatchev për kontributin në arritjen e kompromisit mbi tekstin final.
Balla nënvizoi se Shqipëria mbetet e vendosur në rrugën e saj europiane, duke vijuar reformat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian.
Fraksion.com

