AktualitetBota+Të fundit

Sulmohen nga hakerat kinezë administratat publike italiane dhe ndërkombëtare

Një grup kriminelësh kibernetikë ka goditur “Sistemi Informativi”-n, pjesë e kompanisë IBM që në Itali menaxhon infrastrukturën teknologjike për administratën publike dhe për disa kompani të mëdha.  La Reppubilca shkruan se lajmi është mësuar nga Italian Tech përmes burimeve të ndryshme.

IBM, e kontaktuar këto orë, ka konfirmuar sulmin kibernetik: “Kohët e fundit kemi identifikuar dhe përmbajtur një incident të sigurisë kibernetike. Po vazhdojmë të monitorojmë mjedisin tonë ndërsa po hetojmë çështjen”.

Sipas informacioneve, faqja e “Sistemi Informativi” aktualisht nuk është e aksesueshme. Grupi që dyshohet se ka kryer sulmin është “Salt Typhoon”, një grup hakerësh me origjinë kineze, i lidhur shpesh në raportet perëndimore të sigurisë kibernetike me Pekinin dhe aparatin e tij të spiunazhit. Qeveria kineze ka mohuar gjithmonë çdo lidhje me këtë grup.

Sistemi Informativi” operon në nivele të ndryshme me administratën publike lokale dhe kombëtare. Është partner teknologjik i disa prej kompanive më të mëdha italiane, grupeve financiare, telekomunikacionit dhe energjisë, si dhe bashkëpunon me institucione kyçe shtetërore si INPS dhe INAIL.

Kompania bën të ditur se ka aktivizuar menjëherë protokollet e sigurisë për incidente dhe ka përfshirë ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm të sigurisë kibernetike për të trajtuar situatën. Nuk ka konfirmim për origjinën e sulmit, por thuhet se “sistemet janë stabilizuar, shërbimet e prekura janë rikthyer dhe po vazhdojmë monitorimin e mjedisit”.

Sipas dhjetëra raporteve të sigurisë kibernetike, “Salt Typhoon” është një grup i specializuar në spiunazh kibernetik strategjik (APT – Advanced Persistent Threat). Në vitet 2024 dhe 2025, ai ka organizuar një fushatë të madhe spiunazhi në Shtetet e Bashkuara, duke u infiltruar në rrjetet e telekomunikacionit për të vjedhur të dhëna dhe për të interceptuar komunikime. Objektiva të tij kanë qenë kompani si AT&TVerizon dhe T-Mobile.

Në këtë rast, është e vështirë të vlerësohet se çfarë të dhënash mund të jenë komprometuar, pasi sulmuesit nuk kanë bërë kërkesa për shpërblim dhe nuk kanë dhënë asnjë deklaratë publike. Ata dyshohen se mund të kenë pasur akses në sistem për rreth dy javë, duke qëndruar të fshehur brenda rrjeteve dhe duke mbledhur të dhëna pa u zbuluar.

Sistemi Informativi”, i themeluar në vitet ’70 dhe i blerë nga IBM në vitet ’90, është sot në pronësi të plotë të kompanisë amerikane. Ai vepron si krahu operacional i IBM Italia për kontrata të mëdha të menaxhimit teknologjik, duke u lidhur me infrastrukturat më kritike të Italisë.

Kompania ka dhjetëra kontrata me administratën publike italiane, përfshirë projekte për sigurinë kibernetike, cloud kombëtar, shëndetësi digjitale dhe Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (PNRR). Kjo e bën atë një hallkë kyçe për të dhënat shtetërore.

Në vitin 2021, “Sistemi Informativi” u nda kompania Kyndryl, ndërsa pjesa tjetër mbeti e fokusuar në transformimin digjital dhe softëare. Nuk është ende e qartë nëse sulmi ka prekur vetëm këtë degë apo edhe struktura të tjera të IBM-së.

Agjencia italiane e sigurisë kibernetike ACN konfirmon se po punon për të zgjidhur problemin dhe se sistemet janë aktualisht offline për hetim dhe pastrim të plotë të rrjetit. Ende nuk dihet kur IBM e ka raportuar incidentin dhe as nëse është njoftuar autoriteti për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa është ende herët për të vlerësuar dëmet e plota të sulmit, i cili mund të jetë shumë serioz për sistemin dixhital publik në Itali.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com