Kërkohej për pjesëmarrje në organizatë terroriste, arrestohet në Rinas 67-vjeçari turk
Një 67-vjeçar turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste, u arrestua nga policia në Pikën Kufitare në Rinas.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Njësisë Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, në Sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Antiterrorit, me partnerët turq, si dhe si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit u ndalua në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar: I. K., 67 vjeç”.
Sipas policisë, ndalimi i këtij shtetasi u krye në zbatim të urdhrit të prokurorit, nxjerrë më datë 08.08.2017, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin, për shtetasin I. K., për veprat penale “Tentativa për rrëzimin e rendit kushtetues” dhe “Anëtarësimi në organizatë të armatosur terroriste”, parashikuar nga legjislacioni penal turk.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, në funksion të procedurës për ekstradimin e këtij shtetasi.
Fraksion.com

