Dy të mitur u përplasën për vdekje nga makina, pezullohen nga detyra drejtori i Policisë së Durrësit dhe 2 shefa të tjerë! Hita: Performancë të dobët
Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, kryepolici Skënder Hita ka pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtorin e Policisë së Qarkut Durrës, Afrim Tafa. Në vend të tij është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.
Njoftimi i plotë i policisë:
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.
Fraksion.com

