“Artikulli i përbashkët i Ramës dhe Vuçiç”, Hoxha: Propozim për qasje më fleksibël dhe të përshpejtuar të integrimit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se artikulli (Op-Ed) i Kryeministrit Edi Rama në Frankfurter Allgemeine Zeitung nuk sfidon objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, por synon ta bëjë këtë proces më funksional dhe të besueshëm.
Në një seancë dëgjimore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi raportin IBAR dhe ecurinë e negociatave, Hoxha theksoi se zgjerimi i BE-së është rikthyer në qendër të debatit evropian në një kontekst të ri gjeopolitik, ku shihet si instrument për forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe rolit global të unionit.
Sipas tij, artikulli duhet parë në këtë kuadër, si një propozim për një qasje më fleksibël dhe të përshpejtuar të integrimit, pa vënë në diskutim anëtarësimin e plotë.
“Anëtarësimi në BE është i panegociueshëm dhe mbetet objektivi ynë strategjik kombëtar”, theksoi ministri.
Hoxha shpjegoi se ideja e artikullit konsiston në afrimin gradual të vendeve aspirante me strukturat e BE-së përpara anëtarësimit formal, veçanërisht në fusha si tregu i përbashkët, politikat evropiane dhe lëvizshmëria.
Kjo, theksoi Hoxha, do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë, duke përshpejtuar konvergjencën me vendet anëtare.
Ai shtoi se, një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e besueshmërisë së procesit të integrimit, duke shmangur zgjatjen e tij pa rezultate të prekshme, si dhe do të rriste bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke iu referuar firomsjes së artikullit bashkë me Presidentin e Serbisë, Hoxha theksoi se kjo nuk përbën aleancë apo projekt të përbashkët politik, por një reflektim mbi një interes strategjik të përbashkët, integrimin evropian.
Ai nënvizoi se qëndrimet e Shqipërisë për Kosovën mbeten të pandryshuara dhe të palëkundura.
Ministri theksoi se, artikulli promovon një qasje gjithëpërfshirëse, nga e cila do të përfitonin të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, përmes integrimit më të hershëm në tregun e përbashkët dhe hapësirat evropiane.
Në përfundim, Hoxha nënvizoi se procesi i integrimit duhet të jetë jo vetëm një destinacion, por edhe një rrugë që sjell përfitime konkrete për qytetarët, duke ruajtur njëkohësisht synimin final të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Fraksion.com

