AktualitetPolitikëTë fundit

“E shiti veten në burg”, Berisha akuza të forta për Salianjin: Ha dreka e darka me kriminelë

Kryetari i PD-së Sali Berisha po zhvillon sot në 2 maj një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.

Fjalën e tij, Berisha e nisi me faktin se ishte në forumin e IDU-së në Kroaci. Ai foli dhe për rezolutën për Shqipërinë, që u firmos në Forum.

Solli detaje nga rezoluta për Shqipërinë, e miratuar nga IDU.

“Rezoluta mbështet qeverinë teknike, për organizimin e zgjedhjeve. Pra, mbështet qeveri pa Edi Ramën. Mbështet zgjedhje të lira e të ndershme. Po ashtu ngrihet shqetësimi se në vend ka shumë çështje penale me motive politike. Rezoluta dënon drejtësinë selektive, sidomos çështjet që lidhen me Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun. IDU dënon reformën territoriale, që kërkon kontroll politik. IDU kërkon që të mbrohet rruga euro-atlantike e Shqipërisë”,deklaroi Berisha.

U pyet dhe për garën në PD, ku Berisha garon i vetëm.  Thumboi dhe Salianjin, duke thënë se hante dreka e darka me kriminelë.

“Salianji ishte një hero, nuk mund të them. Por se në burg ai e shiti veten. Hante dreka e darka me kriminelë të lidhur me Partinë Socialiste. Kurse zonjën Sela nuk e njoh, është hera e parë që ia dëgjoj emrin, por gara brenda partisë ka kritere“, u shpreh Berisha.

E akuzoi po ashtu Salianjin se ka lidhje me socialistët.

“Salianji i shërben Ramës. PD është ndarë në mënyrë përfundimtare me Edi Ramën dhe rrethin e tij kriminal. Dhe pikërisht me rrethin kriminal të Ramës, ka lidhje Salianji. Madje, Salianji shfaqet në TV shumë shpesh duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të qeverisë”, deklaroi ai.

Tha se Rama e ndërtoi shtëpinë, në kohën që thoshte se jeton me qira.

“Rama thoshte se jetonte me qira ose kishte pasuri modeste. Por se ndërkohë, vetëm pigmenti i bojës së shtëpisë së Edi Ramës kushton 100 mijë euro. Lërë pastaj të tjerat që janë shpenzime të panumërta. Sapo një prokurore nisi hetim për pasurinë e Edi Ramës, ajo u shkarkua menjëherë. Pasuritë e Ramës nuk kanë të sosur”,deklaroi Berisha.

Iu përgjigj dhe pyetjes se çfarë do të ndodhë në protestën e radhës të opozitës.

“Ne tashmë kemi fituar edhe simpatinë e ndërkombëtarëve. Duhet të vazhdojmë e të vazhdojmë të qëndrojmë, derisa ta rrëzojmë këtë qeveri kriminale. Asgjë nuk e mposht Partinë Demokratike. PD udhëheq shqiptarët dhe do ta rrëzojë regjimin e Ramës”, u shpreh Berisha.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com