AktualitetTë fundit

A e pyeti Ramën para se të depozitonte kallëzimin në SPAK? Balla i përgjigjet avokatit të Berishës në gjyq: Nuk kam marrë leje nga kryetari për…

Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me diskutime të reja, ku në qendër të pyetjeve ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, e pyeti Ballën nëse kishte vënë në dijeni kryeministrin Edi Rama për kallëzimin e bërë në lidhje me këtë çështje.
“Jo fare, nuk e kam vënë,” u përgjigj Balla, duke theksuar se për asnjë kallëzim nuk ka marrë leje nga kryetari i partisë.

Gjokutaj vijoi më tej duke e pyetur nëse kishte dijeni që Rama kishte firmosur për këtë çështje, duke aluduar për vendimmarrje të mëhershme lidhur me pronën.

Balla u përgjigj se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë, duke shtuar se nuk kishte qenë i informuar për veprime të tilla.

Avokati ngriti gjithashtu çështjen e interesit publik, duke kërkuar të dinte nëse Balla e kishte ndarë këtë shqetësim me kryetarin e tij politik.
“Për asnjë kallëzim nuk kam marrë ndonjëherë leje nga kryetari i partisë,” përsëriti Balla.
Në vijim të pyetjeve, Gjokutaj e pyeti Ballën nëse e njihte Ramën.
“E njoh patjetër. E njoh në mënyrë sistematike,” u shpreh ai.
I pyetur nëse kishte ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar atë që e cilëson si procedurë korruptive, Balla tha se e kishte ngritur çështjen në Parlament dhe më pas kishte bërë kallëzimin si qytetar.

Në një moment të debatit, Gjokutaj deklaroi se ekziston një kontradiktë mes dëshmisë së Ballës dhe veprimeve të kryera nga Rama, duke iu referuar pretendimeve për ndryshimin e destinacionit të një klubi sportiv në truall ndërtimi.

“Rrëfimi juaj sot bie ndesh me veprimin që ka kryer kryetari juaj,” tha avokati.

Balla reagoi duke theksuar edhe njëherë se nuk kishte marrë leje nga kryetari i partisë për kallëzimin dhe se kishte vepruar në mënyrë të pavarur.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com